Opozita vazhdon të kritikojë shumicën parlamentare dhe Qeverinë lidhur me ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Deputeti i Frontit Europian, Salih Murat ka thënë se ligji i miratuar në Qeveri është i pa kompletuar dhe nuk e mbyll problemin me përfaqësimin e drejtë.
Ai tha se “trupi kordinues” që do të mbikëqyrë sipas ligjit të Qeverisë përfaqësimin e drejtë nuk ka pavarësi institucionale, nuk ka buxhet vetanak dhe nuk ka mekanizma për ndëshkim në rast se ligji në fjalë nuk rrespektohet.
Sipas deputetit, Qeveria nuk ka nevojë ta dërgoj propozimin e tyre për mendim në Komisionin e Venedikut, nëse janë të sigurtë se është zgjidhje e mirë dhe e kompletuar, në të kundërtën sipas deputetit, Qeveria nuk u beson ekspertëve që vet i ka angazhuar.
Deklaroi se Fronti Europian e ka ligjin gati dhe ai është më i kompletuar dhe shumë më i mirë se propozimi i Qeverisë. Murat thotë se në ligj nuk është përcaktuar fare as përbërja e trupit kordinues që sipas Frontit Europian duhet të jetë multi-etnike.
SALIH MURAT, DEPUTET I FRONTIT EVROPIAN
“Ky është ligji i përgatitur që Fronti Europian e ka përgatitur nga tetori i kaluar. Në këtë ligj marrin përgjigje të gjitha çështjet kontestuese, por si grup parlamentarë nuk e kemi dorëzuar dhe kemi pritur që Qeveria të dalë me qëndrimin e vet. Ende nuk kemi vendosur se si do të veprojmë, nëse si grup do ta dorëzojmë propozimin tonë ose do të bëjmë atë përmes paraqitjes së amendamenteve”.
Kritika të vazhdueshme për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nga dita e miratimit të ligjit në Qeveri, kanë lëshuar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca e Ziadin Selës po edhe Aleanca e Arben Taravarit që gjithashtu kanë reaguar edhe sot duke zbuluar mangësitë e ligjit në fjalë. Ndërkaq, nga VLEN në vazhdimsi thonë se kanë arritur që brenda 1 viti të bëjnë atë që subjektet tjera politike nuk kanë bërë për 22 vite.
Mevludin Imeri /SHENJA/