Një ngjarje e rëndë që ka ndodhur në mbrëmjen e së shtunës ka tronditur qytetin e Prilepit. Daja 63 vjeçar nga Prilepi ka vrarë nipin e tij 43 vjeçar dhe djalin e tij vetëm 12 vjeç. Për një moment situata u duk si të jetë gjendje lufte, ku janë përdorur armë dhe bomba. Pasi kreu vrasjen e nipin dhe stërnipit, daja nuk kurseu as veten, i njejti bëri edhe vetëvrasje.
Ngjarja tragjike është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme si një incident i rëndë sigurie. Sipas autoriteteve, gjithçka filloi kur një grua 43-vjeçare raportoi zhdukjen e bashkëshortit dhe djalit të saj. Dyshohej se ata ishin drejtuar tek një i afërm i familjes. Policia ndërhyri në shtëpinë e të afërmit, ku u përball me një situatë të rrezikshme. Një person hodhi një bombë drejt policëve, e cila nuk shpërtheu. U qëllua edhe me armë zjarri ndaj forcave të rendit, të cilët u detyruan të reagojnë me armë.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Nga ana e zyrtarëve policorë është kryer kontroll në shtëpinë e P. Gj., por askush nuk e ka hapur derën. Me urdhër të prokurorit publik, zyrtarët policorë kanë hapur derën me përdorim force dhe kur kanë hyrë në shtëpi, një person ka hedhur një bombë dore drejt tyre, e cila ka filluar të nxjerrë tym, por nuk ka shpërthyer. Pasi zyrtarët policorë kanë dalë nga shtëpia, është shtënë ndaj tyre me armë zjarri, ndërsa ata kanë kthyer zjarrin me armët e tyre zyrtare drejt shtëpisë”.
Mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen si pasojë e plagëve nga armë zjarri të P.Ç., P.Gj. dhe një të mituri 12-vjeçar.
Detaje më të hollësishme për rastin tragjik ka dhënë edhe Prokuroria Themelore Publike, e cila informoi se vrasja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore familjare.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Një prokuror kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Prilep kreu ekspertizë në vendin e ngjarjes në një shtëpi në qendër të Prilepit, ku u gjetën trupat e pajetë të një fëmije 12-vjeçar dhe të dy burrave të moshës 43 dhe 63 vjeç. Sipas informacioneve fillestare, 63-vjeçari fillimisht ia mori jetën djalit të motrës së tij dhe më pas edhe djalit të tij, për shkak të mosmarrëveshjeve familjare dhe çështjeve të pazgjidhura pronësore. Pasi kreu veprën, motivet për aktin i publikoi në një rrjet social, e më pas kreu vetëvrasje”.
Nga atje sqarojnë se Prokurori publik ka dhënë urdhër për autopsi të të ndjerëve, si dhe për mbledhjen e të gjitha gjurmëve, armëve dhe municionit të gjetur në vendin e ngjarjes, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Ndërkaq, nga MPB theksojnë se po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
Samir Mustafa /SHENJA/