Përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Federika Mogerini, ka kërkuar nga presidenti Ivanov që të tërheq vendimin e tij dhe në pajtueshmëri me kushtetutën e vendit, mandatin t’ia ndajë liderit të partisë që ka shumicën parlamentare. Ajo tha se vendimi I Ivanovit është në kundërshtim me vlerat demokratike dhe të NATO-së dhe e ka futur vendin në një krizë të thellë.
“Kërkoj nga presidenti që të reflektojë në vijim dhe të rishqyrtojë vendimin në interes të të gjithë qytetarëve të vendit dhe siç thotë Kushtetuta, t’ia dorëzojë mandatin liderit të partisë që ka shumicën parlamentare. Kjo është kushtetuta e vendit dhe ne e respektojmë atë. Të gjithë liderët partiak dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësi institucionale kanë për detyrë të përmbahen nga retorika duke shmangur që kjo krizë politike dhe institucionale të bëhet konflikt ndëretnik”, tha përfaqësuesja e lartë e BE-së, Feredika Mogerini.
Ajo sot gjatë qëndrimit të saj në Shkup, përveç presidentit Ivanov është takuar edhe me liderët e partive politike që kanë fituar mandate në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Takimet, ajo i cilësoi si shpresëdhënëse dhe tha se ditëve në vijim do të kuptojnë se sa të njëjtat kanë qenë konstruktive. Mogerini shtoi më tej se BE-ja është e interesuar që Maqedonia të vazhdojë rrugën e eurointegrimeve dhe se ky mesazh ka qenë qëllimi i vizitës së saj në Shkup. Megjithatë, sipas saj, vendi ka humbur shumë kohë dhe liderët duhet të tregojnë se a kanë dëshirë që të angazhohen në këtë proces.
“Kam pasur takime me të gjitha partitë politike dhe takim shumë të gjatë me presidentin dhe për këtë arsye jam vonuar, ju kërkoj ndjesë. Të gjitha takimet kanë qenë të gjata dhe përmbajtësore dhe të do thosha shpresëdhënëse. Arsyeja e vizitës sime këtu është dhe ka qenë të jap mesazhin se Bashkimi Evropian është i angazhuar për eurointegrimin e vendit dhe jemi shumë seriozë në këtë, dera jonë është e hapur dhe duam qe vendi të hyjë. Kjo është esenca e vizitës time. E di se qytetarët kanë pritje që vendi të ec përpara në rrugën euroatlantike. Më lejoni t’ju them se kemi humbur shumë kohë”, theksoi Feredika Mogerini.
Mogerini tha se për takimin e sotëm do t’i njoftojë edhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, në takimin e këshillit të ministrave që do të mbahet të hënën.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Mogerini: Ivanov të respektojë Kushtetutën e… by tvshenjaofficial

