Vazhdojnë reagimet e ndërkombëtarëve në lidhje me vendimin e presidentit Ivanov. Këtë vendim, së fundmi, e ka dënuar edhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë. Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, i cili në kuadër të vizitës së tij në Ukrainë, ka komentuar edhe situatën politike në Maqedoni, ka deklaruar se situata e krijuar politike në vend është shumë shqetësuese. Ai ka thënë se vendimi i Ivanovit është në kundërshtim me vlerat demokratike, ndërsa sipas tij, tensionimi i situatës politike largon akoma më shumë vendin nga rruga euroatlantike.
“Tensionimi i situatës së politikës së brendshme në IRJ të Maqedonisë është shumë shqetësuese. Stagnimi i politikës së brendshme paraqet kërcënim për vendin, akoma më shumë të largon nga rruga e afrimit drejt Bashkimit Evropian. Presidenti Ivanov e privon liderin e deritashëm të opozitës nga mandati për formimin e qeverisë, edhe pse ai ka siguruar shumicë parlamentare. Ajo është në kundërshtim me parimet demokratike dhe vlerat evropiane, në të cilat vendi është zotuar”, tha ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel.
Gabriel u ka bërë thirrje liderëve politik që të jenë më të përgjegjshëm, më të matur me retorikën e tyre dhe të ruajnë raportet ndëretnike në vend.
“Gjermania qëndron prapa porosive të qarta, të cilat mbrëmë në Shkup i përcolli përfaqësuesja e lartë, mikja ime, Fedrika Mogerini, aktorëve politik dhe përfaqësuesve të sektorit civil të Maqedonisë. Kërkesa ime u drejtohet gjithë atyre që bartin përgjegjësi poitike në Shkup dhe në klimën e rënduar aktuale të politikës së brendshme të veprojnë me përgjegjësi, të shfrytëzojnë retorikë të matur dhe të bëjnë gjithçka që të mos i dëmëtojnë raportet mes grupeve etnike”, theksoi Gabriel.
Gabriel më tej ka thënë se shprehin keqardhje që çështja e pazgjidhur e emrit me vite pengon përparim më të shpejt në rrugën drejt afrimit të BE-së. Sipas tij, ky kontest, në masë të konsiderueshme ka kontribuar në ashpërsim të situatës aktuale dhe se duhet të shtohet dinamikë në këtë çështje.
Teuta Buçi /SHENJA/