Shefi i diplomacisë gjermane, Zigmar Gabriel ka shprehur edhe një herë shqetësimin e tij për situatën politike në Maqedoni. Ai ka kërkuar që t’i jepet fund menjëherë bllokadës në Maqedoni. Ndërsa, kjo sipas tij, do të arrihej nëse presidenti Gjorgje Ivanov do të dorëzoj mandatin për formimin e Qeverisë së re.
“Vlerësoj se është e nevojshme edhe njëherë të kërkohet nga presidenti I Maqedonisë dhe nga partitë parlamentare që tani të mundësojnë formimin e Qeverisë dhe t’i vendosin fund bllokadës. Ka shumicë parlamentare në Kuvend,e cila është formuar pas zgjedhjeve dhe në bazë të zgjedhjeve”, tha shefi i diplomacisë gjermane, Zigmar Gabriel.
Gabriel shqetësimin e tij rreth situatës politike në Maqedoni dhe Ballkanin Perëndimor, ai e ka diskutuar mbrëmë edhe me homologun e tij spanjoll Alfonso Dastis në Berlin. Ai po ashtu ka thënë se shkalla e pasigurisë dhe rritja e tensioneve në Ballkanin Perëndimor dhe posaçërisht në vend, përbën rrezik shumë të madh.
“Shkalla e pasigurisë, të cilën e kemi momentalisht dhe gjatë së cilës përsëri zgjohen emocionet e vjetra është rrezik i madh. Për këtë dëshirojmë të angazhohemi për atë që në tërë Ballkanin Perëndimor, ndërsa posaçërisht në raport me situatën aktuale në Maqedoni, të kihet kujdes që të vihet në vendosjen e bashkëjetesë të qetë dhe demokratike”, theksoi Gabriel.
Kjo është hera e dytë brenda një muaj që diplomati gjerman ka porositur presidentin Ivanov që të rishqyrtoj vendimin e tij dhe të jap mandatin për formim të Qeverisë së re, në mënyrë që t’i vihet fund krizës së thellë politike në Maqedoni.