Besimtarët muslimanë janë mbledhur nëpër sheshe dha xhami në kryeqytetet e vendeve të rajonit, por edhe në xhamitë e qyteteve të tjera, për t’u bërë pjesë e lutjeve dhe faljes së namazit të një ndër festave më të mëdha të fesë islame.
Ceremonia qendrore për namazin e Bajramit në Shqipëri është mbajtur në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.
Pjesë e ceremonisë qendrore në Tiranë ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hutbeja.
Edhe në sheshet dhe xhamitë e qyteteve të tjera të Shqipërisë janë mbajtur programe për Fitër Bajramin.
Manifestimi qendror i Bashkësisë Islame të Kosovës është mbajtur në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih”, në Prishtinë.
Hutben e festës e mbajti myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili foli për rëndësinë e familjes, si bazë e shoqërisë. Tërnava tha se Islami urdhëron për ruajtjen e lidhjeve familjarëve dhe farefisnore dhe në Islam është obligim sjellja e mirë me nënën dhe babain.
NAIM TËRNAVA, MYFTIU I KOSOVËS
“Menjëherë pas adhurimit që bëhet për Zotin xh.sh. jemi të urdhëruar për përkujdesje ndaj prindërve, me dashuri dhe respekt. Përkujdesja ndaj prindërve është një rrugë e drejtë, e cila na afron drejtë mëshirës së Zotit xh.sh.”.
Tutje, myftiu Tërnava tha se Islami është kundër modeleve të familjes që dalin nga struktura tradicionale dhe parimeve të burrit dhe gruas.
NAIM TËRNAVA, MYFTIU I KOSOVËS
“Muhamedi alejhiselam shumë herë na porositi për përkujdesje, ndihmë dhe mirësjellje ndaj familjes dhe prindërve. Ai në një rast tha, më i miri prej jush është ai që është më i miri ndaj familjes së tij, dhe unë jam më i miri ndaj familjes time. Fatkeqësisht sot kemi shumë prindër të braktisur, të harruar nga fëmijët e tyre. Ata kanë ngelur pa kujdes, gjë e cila po e rëndon jetën e tyre deri në ekstrem”.
Pas urimit të myftiut Tërnava, mesazhe urimi dërguan edhe qytetarët pas faljes së namazit të Fitër Bajramit, duke uruar njëri-tjetrin fizikisht dhe virtualisht.
Po ashtu, besimtarë të shumtë kanë falur namazin e Bajramit edhe në vendet e tjera të rajonit.
/SHENJA/