Pavarësisht se në anketa është fitues, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski nuk i sheh si opsion, zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Duke u përgjigjur pyetjes së TV Shenjës, Mickoski tha se çdo politikan do të donte zgjedhje të parakohshme bazuar në ato rezultate, por zgjedhjet sipas kryeministrit nuk janë hap i mirë për shtetin.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“E thashë që këtë vit nuk kemi ndërmend të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qëllimi ynë janë zgjedhjet e rregullta në vitin 2028. Edhe pse politikisht është në favorin tonë pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet lokale të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, por nuk mendoj se kjo është një lëvizje shtetërore. Duhet të përkushtohemi ndaj reformave”.
Kryeministri pohoi se numrat e tillë dhe besimi i qytetarëve janë motiv shtesë për të, dhe partinë e tij që të vazhdojë edhe më tutje, siç thotë ai, punët e mira që i ka nisur me marrjen e mandatit.
HRISTIAN MICKOSKI – KRYEMINISTËR
“Numrat duhet vetëm të na motivojnë edhe më shumë për të punuar. Kjo përfaqëson një përgjegjësi edhe më të madhe, si për mua si kryetar i Qeverisë, ashtu edhe për VMRO-DPMNE-në si parti kryesore në kuadër të koalicionit qeveritar. Jemi parti serioze shtetformuese dhe ashtu sillemi edhe në Qeveri. Unë, si njeri, do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për të ofruar sa më shumë për qytetarët. Asnjëherë nuk kemi premtuar se do të bëjmë mrekulli”.
Kur jemi tek zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kujtojmë se është Bashkimi Demokratik për Integrim ai që një periudhë të gjatë ka insistuar në realizimin e tyre, megjithatë është refuzuar kategorikisht nga kryeministri po edhe eksponent të tjerë të Qeverisë.
Mevludin Imeri /SHENJA/


