Kryeministri Hristijan Mickoski nuk tregoi se kur do të zhvillohet takimi mes tij dhe liderit të BDI-së Ali Ahmeti, të cilin e paralajëmroi ky i fundit në deklaratën pas takimit të liderëve. Për këtë çështje, kryeministri dha një përgjigje tipike prej politikani.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Unë në funksionimin tim të rregullt politik takohem me të gjithë liderët e partive politike, kështu që në korniza të atyre takimeve supozoj se do të takohem edhe me zotëri Ahmetin”.
Ndërkaq, theksoi se të enjtën është mbajtur takim mes grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së në lidhje me ligjin për kundërvajtje, për çka Ahmeti në takimin e liderëve kishte kërkuar informacione shtesë dhe se grupet parlamentare janë sqaruar disa gjëra që ishin të paqarta për BDI-në, prandaj pret që ligji të miratohet në seancën e ardhshme parlamentare dhe “Qyteti i Sigurt” të fillojë të zbatohet pa probleme nga 1 shkurti.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Në takimin e liderëve, u ra dakord pa kushte që ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje do të mbështeten. Ai përmendi se kishte disa amendamente, por më vonë në bisedën me Ministrin e Brendshëm u konkludua se nuk kishte ndryshime të tilla. Megjithatë, pavarësisht kësaj, u dakorduam, gjatë ditës së djeshme, të kemi një takim në nivel koordinatorësh dhe të sqarojmë të gjitha ato paqartësi. Ky takim ndodhi dje”.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i BDI-së Arbër Ademi një ditë më parë ka thënë se në takimin e Ahmetit me Mickoskin do të kërkohet zgjedhja e Qeverisë me Badenter dhe po ashtu Badenter në vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ligje me shumicë të dyfishtë. Ai theksoi se nuk heqin dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Emine Ismaili /SHENJA/


