Edhe pse koalicioni qeveritar shqiptar brenda Qeverisë, “po vlon” nga ripozicionimet se kush nga cila palë mbetet, pas daljes së Arben Taravarit nga pushteti, kryeministri Hristijan Mickoski, ende nuk jep asnjë detaj. Tepër i rezervuar dhe shumë i shkurtë në përgjigje, Mickoski i pyetur se kur do të zbulohet emri i ri i ministrit të Shëndetësisë, gjegjësisht pasardhësi i Taravarit, ai vetëm tha se kjo do të dihet këtë javë ose më së voni javës tjetër.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Unë pres që këtë javë, më së voni javën e ardhshme të bëhen të njohura emrat e pjesëtarëve të Qeverisë dhe të dorëzohen tek deputetët”.
Po aq shkurtë u përgjigj edhe në pyetjen se a do të vazhdoj t’i mbetet Shëndetësia koalicionit VLEN. Kryeministri u përgjigj se do të pres të shoh se çfarë kualifikimesh disponon koalicioni.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Mendoj se duhet të mbetet ajo strukturë e Qeverisë, ashtu siç funksionon deri tani. Kështu që, pres propozim dhe do të shohim se çfarë kualifikime disponojnë”.
Qëkur Arben Taravari vendosi të largohet nga koalicioni VLEN, filluan pakënaqësitë e bashkëpartiakëve të tij, shumë prej tyre nuk u pozicionuan me Taravarin duke mbetur ende në Qeveri, por në një situatë të paqartë se si mund të mbeten në Qeveri, të pa përfaqësuar nga partia, pasi Aleanca për Shqiptarët e Taravarit, kaloi në opozitë. Disa mbështetës të Taravarit, lanë funksionet shtetërore dhe u rreshtuan pas kryetarit.
Samir Mustafa /SHENJA/