Kishte shkuar në Kriva Pallankë për të lëshuar në përdorim një qarkore të rikonstruuar. Këtu kryeministri Hristian Mickoski foli për të mirat materiale dhe investimet qindra miliona euro që do të bëhen në këtë qytet, investime të cilat sipas Mickoskit do ta lidhin Maqedoninë e Veriut me Korridorin 8 dhe me vendet fqinje. Mickoski theksoi se paralelisht po zhvillohet edhe infrastruktura rrugore, përfshirë ndërtimin e segmenteve të reja që do të lehtësojnë qarkullimin.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Si Qeveri vazhdojmë të fokusohemi në realizimin e investimeve kapitale. Shumë herë kemi përmendur se Maqedonia është një shtet që praktikisht është kryqëzim i dy korridoreve shumë të rëndësishme evropiane, Korridorit 8 dhe Korridorit 10. Lidhja rrugore, lidhja hekurudhore, madje edhe ajo energjetike, janë prioritet i kësaj Qeverie, gjë që e konfirmojnë edhe vetë rezultatet e rritjes së Bruto Prodhimi Vendor”
Mickoski tha se si Qeveri do të vazhdojnë realizimin e këtij projekti që për ta është prioritet sepse me realizimin e tij, përgjigje marrin qytetarët që mbështesin këtë Qeveri dhe VMRO-DPMNE-në.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Pres që shumë shpejt që gjithçka për të cilën kemi folur gjatë këtyre gati dy viteve të mandatit të kësaj Qeverie të realizohet. Segmentet e reja të Korridorit 8 që do t’i realizojmë në periudhën që vijon, dhe në këtë mënyrë t’u përgjigjemi qytetarëve që i japin mbështetje kësaj Qeverie dhe që i japin mbështetje VMRO-DPMNE-së”
Qarkorja e lëshuar në përdorim është e gjatë 4.5 kilometra. Para se të lëshohet në përdorim kjo qarkore është rikonstruuar edhe rruga nga Kriva Pallanka për në pikën kufitare me Bullgarinë.
Mevludin Imeri /SHENJA/


