Të shtunën koalicioni VLEN ka paralajmëruar shkrirjen në parti. Ky moment sipas njërit prej liderëve të VLEN-it Izet Mexhitit, është shumë i rëndësishëm për shqiptarët. Mexhiti u shpreh se po tejkalojnë ngjyrat politike dhe egot personale, për të nisur një fillim të ri. I pyetur se a do t’i bëjnë ftesë Ziadin Selës për tu bërë pjesë e tyre, Mexhiti tha se ata janë të hapur për të gjitha subjektet që nuk janë më me BDI-në.
Izet Mexhiti, kryetar i Çairit
“Është një fillim i ri, një kapitull i ri…por nuk mbaron këtu, VLEN-i do të jetë i hapur edhe për intelektualët e pavarur, edhe për për ekspertët e fushave të ndryshme, por do të jetë i hapur edhe për subjektet që për momentin nuk janë me BDI-në”.
Në pyetjen se a do të ketë edhe largime të tjera nga VLEN, pas Arben Fetait dhe Fatmir Limanit, Mexhiti u përgjigj se në Kongres bëhet shkrirje e subjekteve politike dhe jo largim i individëve.
Për rikonstruimin e Qeverisë, bëri me dije se me kryeministrin kanë një marrëveshje në parim, por se nuk i kanë biseduar dhe diskutuar as principet, as resoret nëse do t’i mbajnë të njejtat ose do t’i ndryshojnë.
Ai gjithashtu qartësoi qëndrimin e VLEN-it për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Thotë se nuk sheh nevojë për organizim të zgjedhjeve.
Izet Mexhiti, kryetar i Çairit
“Duke pasur parasysh se ka shumicë të madhe në Kuvend, nuk shoh asnjë faktor të shkoj në favor të zgjedhjeve parlamentare. Gjatë gjithë kohës po përballemi nga opozita shqiptare me kërkesa për zgjedhje të parakohshme, por jo që e duan vërtetë këtë gjë, sepse kishte zgjedhje lokale dhe e pamë se cili ishte rezultati, nga 13 komuna, ranë në 3, edhe atë komuna periferike”.
Për Kongresin e VLEN-it, që pritet të mbahet nesër, tha se u kanë bërë ftesë të gjitha partive politike edhe shqiptare edhe maqedonase.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/


