Zëvendës kryeministri Izet Mexhiti ka paralajmëruar padi ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, për akuzat e saj ndaj komunës së Çairit të cilat sipas Mexhitit, janë të pabaza dhe të pavërteta.
Mexhiti thotë se veprimet e Arsovskës janë tentim i BDI-së për destabilizim të vendit përmes komunave, zv. Kryeministri ka thënë se burrat e BDI-së po fshihen pas Danella Arsovskës.
IZET MEXHITI, ZV/KRYEMINISTËR
“Problemi është se dështoi edhe plani i parafundit i z.Ahmeti me Taravarin, sepse z.Ahmeti tha se do të dalë në rrugë dhe nuk do të kthehet, por si duket rrugën burrat e BDI-së ia kanë lënë Danella Arsovskës dhe Levicës, prandaj kjo është një strategji e fundit e Ahmetit për destabilizim të vendit, kësaj radhe nëpërmjet komunave dhe fatkeqësisht pra në bashkëpunim me Levicën dhe Danella Arsovskën. Më vjen keq për Danellën, është bërë instrument i Blerimit. Mirë që ka dalë në Çair, mirë është ta shohim edhe në Saraj, të shohë ndërtimet e egra. Mirë është të shohë ndërmarrjet publike që janë para bankrotimit”.
Padi kundër Arsovskës paralajmëroi edhe vet kreu i Çairit, Visar Ganiu i cili tha se pas veprimeve të kryetares së Shkupit qëndrojnë Bujar Osmani e Blerim Bexheti. Sipas Ganiut të gjitha pohimet e Arsovskës janë të paqëndrueshme.
Duke folur për ndërtimet pa leje, Ganiu tha se Çairi në nivel të qytetit është në mesin e qyteteve me më pak ndërtime pa leje kurse në nivel të shtetit sipas Ganiut janë mbi 130 mijë objekte që presin të legalizohen. Thotë se në Komunën e Çairit aktualisht 13 mijë objekte presin dritë të gjelbërt për legalizim.
VISAR GANIU – KRYETAR I KOMUNËS SË ÇAIRIT
Gjatë këtyre paraqitjeve të znj. Arsovska ka pasur shumë jo të vërteta, ato jo të vërteta ne do ti paraqesim në organet kompetente dhe do të ketë process gjyqësorë, nuk mundet ajo mua të më quaj njeri criminal, mua më ka zgjedhur populli dhe për momentin jam kryetar i Komunës së Çairit. Nuk mundet të më thotë se ti ta ndezin veturën përshkak se merresh me gjëra për shkak se vetura ime nuk është e ndezur.
“Lufta” mes Ganiut dhe Arsovskës ka filluar javë më parë, kur i pari i Çairit tha se Shkupi dhe Higjiena Komunale po e neglizhojnë Çairin, kurse Arsoska ju kundërpërgjigj duke akuzuar atë për ndërtime pa leje dhe legalizim të paligjshëm. E gjithë ngjarja kulmoi mbrëmë kur Ganiu dhe një pjesë e qytetarëve hodhën mbeturina në hyrjen kryesore të zyrave të Arsovskës e kjo e fundit e akuzoi duke I thënë se është kriminel dhe është duke u frikësuar nga drejtësia.
Mevludin Imeri /SHENJA/