Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se kryetari maqedonas, Gjorge Ivanov, nuk ka të drejtë ta bllokoj ligjin e gjuhëve të miratuar nga ana e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë. Këto komente Meta i ka bërë në takimin me studentët e Universitetit të Tetovës të realizuar javën e shkuar.
“Nuk ka të drejtë, duhet ta dekretoj. Kuvendi e ka kaluar tre herë, ligji i gjuhëve duhet të vihet në përdorim. Ky ligj nuk u bën ndonjë favor shqiptarëve, kjo u ka takuar që nga Marrëveshja e Ohrit”, deklaroi Meta.
Lidhur me ligjin e gjuhëve sërish ka reaguar kryeministri Zoran Zaev, i cili miratimin e tij e ka cilësuar si përmbushje të obligimeve që dalin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.
“Nëse lejojmë të jetësohet do të shohim se nuk paraqet kurrfarë dhimbje, por në fakt do t’u mundësojë qytetarëve ta ndiejnë shtetin si të tyre sepse përveç detyrimeve u lejohen edhe të drejtat që çdo qytetar i shtetit duhet t’i ketë”, tha Zaev duke shtuar se miratimi i ligjit është përfitim i përhershëm, me të cilin do të krenohen të gjithë qytetarët e vendit.
Presidenti Ivanov ka refuzuar të dekretojë ligjin për gjuhët edhe pas votimit në Kuvend me arsyetimin se ai është anti-kushtetues. Opozita maqedonase u përpoq të bllokojë miratimin e ligjit përmes 35 mijë amendamenteve në Kuvend, por shumica parlamentare i ka injoruar.
Përgatiti: Mevludin Imeri
Montazhi: Evi Shkopi
Kamera: Dejan Nedelkovski
Almakos.com