Nxënësit e shkollës fillore periferike “Bedri Tahiri”, do të ngrinin së ftohti nëse nuk do të ishin mësuesit e tyre që do të siguronin dru për ngrohjen e klasave, të cilat për t’i sjellë në shkollë i kanë mbajtur vet nxënësit.
Sipas njërit prej mësuesve në këtë shkollë, Murat Ametit, shkolla nuk ka pasur dru për nxjemje, sepse reshjet e borës kanë vonuar porosinë.
“Për arsye që mos të humbim orët edhe ditët e mësimit kemi vepruar në këtë mënyrë. Para disa ditëve janë fotografuar një grup nxënësish me karroca me dru. Është e vërtetë që ata kanë sjellë dru në shkollë por drunjtë i kanë marrë nga ne arsimtarët”, tha fillimisht Ameti. (Video)
Mbetet e paqartë se përse drejtoria e shkollës ka pritur që të filloje dimri dhe më pas të bëhet porosia për dru për nxehje, kur një përgatitje e tillë duhet të bëhet me kohë.
Nga drejtori i shkollës nuk morëm dot përgjigje, sepse i njëjti ishte në mbledhje bashkë me drejtorë të shkollave të tjera, në Komunën e Sarajit.
Zëdhënësja e Komunës së Sarajit, Miranda Rameti, tha pas kamerës për Almakos, se komuna ka njohuri për këtë problematikë dhe shtoi se në pyetjet se përse duhet të kryejnë fëmijët dhe arsimtarët detyrimet e këtij institucioni, do të përgjigjen në ditët në vazhdim.
Përgjigje për këtë dështim të realizimit të obligimeve, tashmë dy ditë nuk kemi as nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Ky rast është turp për kryetarin e Komunës së Sarajit, i cili bëri premtime të shumta gjatë fushatës parazgjedhore, tha Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në komunën e Sarajit, Ekrem Alia.
“Jemi në shekullin 21, nuk kam koment, nxënësit detyrohen të bëjnë gjëra që nuk duhet. Qofshin në qafë të pushtetit lokal”, deklaroi Alia për Almakos. (sinkron)
Ndërsa, Ibush Jusufi kryetari i degës së Levizjes Besa- Saraj, kërkon nga organet kompetente të japin sqarim para qytetarëve se kush po i keqpërdor fëmijët e shkollës fillore në Sfillare e Epërme, drejtori i shkollës apo Komuna e cila është përgjegjëse për mirëmbajtje të shkollave.
“Fëmijët në shkollë e kanë vetëm një detyrim të mësojnë dhe të edukohen dhe jo të kujdesen për nxehjen e shkollës”, tha Jusufi. (sinkron)
Përgatiti: Mevludin Imeri
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com