Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha sot se seanca për shkarkimin e ministrit Orhan Murtezani, dhe zgjedhja e ministrave të rinj me shumë mundësi do të mbahet pas përfundimit të seancës për Buxhetin e vitit 2026, konkretisht midis 15 dhe 18 dhjetorit. Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë që kjo të ndodhë më herët.
Ai gjatë një brifingu me gazetarët tha se, plani i tij është të mbajë pyetje të opozitës para kësaj seance, në mënyrë që të gjithë të jenë të pranishëm në Parlament – si Kryeministri ashtu edhe të gjithë ministrat. Seanca e 73-të plenare është planifikuar për nesër, ndërsa seanca e 72-të është planifikuar për 9 dhjetor, në të cilën do të fillojë debati pesëditor për Buxhetin e vitit 2026.
Dje, Qeveria propozoi Muamet Hoxhën si Ministër të Mjedisit dhe Bekim Saliun si Ministër të Çështjeve Evropiane. Kryeministri Hristijan Mickoski tha sot se, tani për tani do të ndodhin vetëm këto dy emërime, ndërsa tha se, për postin e ardhshëm të ministrit të ardhshëm të integrimeve nuk është vendosur ende.
Hristijan Mickoski, kryeministër i RMV-së
“Nuk kemi biseduar për emërimin e ardhshëm të zotërit Orhan Murtezani. Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën e tij të deritanishme, natyrisht pres që edhe më tej të vazhdojë bashkëpunimi ynë diku tjetër, por tani në këtë periudhë kemi prioritete të tjera. E dini që, aty diku mes datës 16 dhe 17 të këtij muaji është samiti Ballkani Perëndimor – Unioni Perëndimor, kështu që kemi prioritete të tjera në rend dite dhe jemi të fokusuar në atë që t’i prezantojmë edhe njëherë pozicionet tona për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian”.
Sa i përket shumicës së badenterit, Mickoski tha se,atë shpesh herë e ndërlidhin me të ashtuqujturat ligje reformuese dhe ai nuk pret që ndonjë deputet i Kuvendit të votojë kundër ose të mos votoj aspak kur të vijë një ligj i tillë reformues në rend dite.
Teuta Buçi /SHENJA/


