Në afërsi të lagjes Vizbeg mbeturinat e banorëve të komunës Shuto Orizare të Shkupit digjen nën qiellin e hapur duke ndotur ambientin jetësorë. Ndërmarrja publike “Higjiena Komunale” dhe komuna e Shuto Orizares fajin për trajtimin joadekuat të mbeturinave ia hedhin fajin njëra tjetrës.
Kryetarja e Këshillit të Shuto Orizares, Fatime Osmanovska thotë se zanafilla e probemit me mbeturinat është nga koha kur është ndërprerë bartja e tyre në deponinë “ Drislla”. Osmanovska shton se ndërmarrja publike i ka premtuar komunës se problemi i trajtimit të mbeturinave do të zgjidhet brenda një afati shumë të shkurtë.
“Komuna dhe kryetari kanë njohuri që është ndërprerë transporti i mbeturinave dhe si pasojë është mbledhur një sasi më e madhe mbeturinash, por përgjegjëse për bartjen e mbeturinave është Ndërmarrja Publike “ Higjiena Komunale ”, thotë Osmanovska për Almakos.
Nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale”, mohojnë të ketë ndërprerje të transportimit të mbetjeve nga pika mbledhëse deri në deponinë “ Drislla”, por nuk përjashtojnë mundësinë që ndërprerje të ketë pasur në raste kur ka ndonjë defekt të mjeteve transportuese.
Ndërmarrja nuk mohon as fenomenin e djegies së mbeturinave, por për këtë fajëson qytetarët e papërgjegjshëm. Ato ftojnë komunën, e cila ka inspektorë për mbrojtjen e ambientit, të zbulojnë qytetarët e papërgjegjshëm që djegin bërllokun dhe t’i sanksionojë konfrom ligjeve në fuqi.
“Djegija e mbetjeve në hapësirat publike është shkelje e ligjit për pastërti publike dhe sanksionohet me dënime të ashpra. Apelojmë deri tek inspektorati i komunës së Shuto Orizares që të dalin në terren dhe të verifikojnë gjendjen si dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për sanimin e situatës”, thonë për Almakos nga NP “Higjiena Komunale.
Sipas tyre, ato e kanë ndihmuar komunën të pastrojë deponitë e egra edhe pse për këtë nuk janë të obliguar me ligj.
Përgatiti: Mevludin Imeri
Montazhi: Evi Shkopi
Kamera: Dejan Nedelkovski
Almakos
.