Në shenjë kujtimi dhe nderimi për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës, u mbajt një marsh simbolik nga Komuna e Çairit deri te memoriali i Srebrenicës në Parkun e Çairit, ku morën pjesë qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe aktivistë. Në këtë ngjarje simbolike, që synon të ruajë gjallë kujtesën historike për një nga krimet më të rënda të luftës në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, fjalime mbajtën funksionarë të ndryshëm. Zëvendëskryeministri për Vetëqeverisje të Mirë, Arben Fetai, në fjalën e tij tha se është edhe më e dhimbshme kur qarqe të caktuara në rajonin tonë vazhdojnë të mohojnë gjenocidin.
Arben Fetai, zëvendëskryeministër për Vetëqeverisje të Mirë
“Këtë gjenocid të pa emër, siç e tha parafolsja, gjenocidi i Srebrenicës është plaga më e hidhur, më e madhe në kontinentin Evropian pas holokaustit të luftës së dytë botërore. Është edhe më e dhimbshme kur shohim se qarqe të caktuara në rajonin tonë vazhdojnë të mohojnë gjenocidin, vazhdojnë të zbatojnë politika negacioniste, politika revizioniste të cilat nuk e kanë vendin në rajonin Evropian, nuk e kanë vendin sigurisht në asnjë një vend që synon të bëhet pjesë e bashkimit Evropian, sepse mohimi i gjenocidit bie ndesh në mënyrë brutale me çdo vlerë të mundur evropiane”.
Ndërkaq Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, thotë se Srebrenica është historia e gjithë njerëzimit ndaj dhe në këtë 30 vjetor janë mbledhur për të rikujtuar se kemi një përgjegjësi të përbashkët për të mos lejuar që urrejtja të ketë hapësirë në asnjë vend.
Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit
“Në këtë 30 vjetorë, nuk kemi ardhur thjeshtë për të mbajtur një ceremoni, por për të rikujtuar se kemi një përgjegjësi të përbashkët, si njerëz, si shoqëri, si institucione, të mos lejojmë që urejtja, racizmi, mohimi dhe dhuna të zënë vend në jetat tona, në asnjë vend dhe në asnjë kohë”.
Po ashtu, Zekir Ramçilloviq, profesor në Universitetin “Kirili dhe Metodi”, deklaroi se qytetarët e njohin dhimbjen dhe dënojnë atë që ka ndodhur para 30 viteve, ndaj dhe vlerëson se duhet punuar më shumë në periudhën vijuese në drejtim të ndërtimit të paqes.
Zekir Ramçilloviq, profesor në Universitetin “Kirili dhe Metodi”.
“Maqedonia dhe qytetarët e saj, e ndjejnë dhe e njohin dhimbjen, megjithatë edhe padrejtësinë dhe e denojnë atë që ka ndodhur para 30 viteve. Kështu që besoj se në periudhën vijuese edhe më shumë duhet të punojmë në empatinë dhe dënimin e asaj të keqe, në drejtim të ndërtimit të paqes dhe bashkëjetesës”.
Ndërkaq aktivistja, Selma Rizvanoviq Mandal, thotë që sot dëshmohet që pas 30 vitesh relativizimi i viktimave, revizionizmi dhe mohimi është edhe më i madh nga çka qenë para 20 viteve.
Selma Rizvanoviç Mandal, aktiviste
“Sot dëshmojmë se pas 30 vitesh relativizimi i viktimave, revizionizmi dhe mohimi është edhe më e madhe nga çka qenë para 20 viteve. Kjo është rezultat i mospasjes së masave institucionale. Mohimi është faza e fundit e gjenocidit”.
Ndërkohë, të pranishmit po ashtu vendosën lule në shenjë simbolike të dhimbjes duke përcjellur një mesazh të heshtur por mjaft domethënës që e kaluara nuk harohet, por shëndrohet në mësim për të ardhmen dhe se vetëm duke kujtuar e njohur të vërtetën mund të ndërtojmë paqen.
Anida Murati /SHENJA/