Propozim-ligji për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit pritet të rivotohet në Kuvend deri në fund të javës së ardhshme, pasi presidenti Gjorge Ivanov sot e kishte njoftuar kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi se nuk do ta dekretojë marrëveshjen.
Partitë e shumicës parlamentare kanë reaguar duke thënë se Ivanov do të jetë i detyruar të firmos marrëveshjen pasi ajo të rivotohet në Kuvend, në të kundërtën shkel Kushtetutën dhe ndërhynë në kompetencat e organit legjislativ.
Deputetja e LSDM-së Frosina Remenski shpreson se deri në fund të javës së ardhshme do të ketë votim të sërishëm për ligjin dhe shton se nëse Ivanov sërish nuk dekreton marrëveshjen paralajmëron masa juridike kundër tij.
“Poashtu, mund të jetë lëndë edhe e mjeteve dhe mekanizmave tjera juridike që janë në dispozicion jo vetëm të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, mendoj këtu për procedurën për impiçment, por mendoj se edhe Gjykata Kushtetuese dhe organet shtetërore kanë edhe obligim të ngrejnë procedurë për sjelljen e këtillë”- tha Remenski.
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi thotë se Ivanov është i vetmi që u prin forcave të pakta që janë kundër marrëveshjes dhe integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO.
“Politika infantile e z. Gjorge Ivanov vazhdon të zbatohet dhe për këtë më duhet të që të shpreh keqardhje para foltores së Kuvendit të Maqedonisë, por gjithashtu t’i sigurojë edhe qytetarët edhe kolegët në shumicën parlamentare që nuk do të lejojmë që një uzurpator i postit të presidentit të shtetit, pa legjitimitetin e qytetarëve, në veçanti atyre shqiptar ta suspendon punën ligjvënëse të Kuvendit të Maqedonisë”.
Nëse Kuvendi rivoton marrëveshjen, sipas Kushtetutës, presidenti Ivanov është i detyruar ta dekretojë, por e paqartë është në çfarë afati kohor duhet ta bëjë këtë.
Shumica parlamentare mund të nis procedurën për përgjegjësinë e presidentit, por nuk ka dy të tretat e votave për ta shkarkuar atë për shkeljen e Kushtetutës.
Përgatiti:: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com