Qeveria njoftoi se 61 kompani kanë marrë licencë për kultivimin e marihuanës për qëllime mjekësore pasi një mundësi e tillë u lejua në vitin 2017. Siç sqarojnë nga atje, nga 27 dhjetori i vitit 2017 kur dhe ka hyrë në fuqi ligji për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope deri më 3 shkurt 2026, Qeveria ka marrë vendime për dhënien e lejeve për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore për 61 persona juridikë. Nga Qeveria sqarojnë se aktualisht ka 43 persona juridikë që kultivojnë kanabis për qëllime mjekësore, 14 kompanive u është marrë licenca, ndërsa në procedurë është edhe heqja e lejeve për katër persona juridikë.
Për këtë, sot ka folur edhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili tha se Ministria e Shëndetësisë ka dhënë 60 leje për këtë veprimtari, ndërsa 18 prej tyre janë marrë për shkak se kompanitë nuk i kanë plotësuar kushtet e nevojshme.
AZIR ALIU, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Deri tani kemi dhënë 60 leje, prej atyre 18 janë marrë për shkak se nuk është…nuk i kanë plotësuar kushtet minimale që duhet t’i ketë një prodhues i tillë. Gjithashtu në bazë të ligjit dhe protokolleve, dy herë në 6 muaj, dmth në çdo 3 muaj duhet të japin raport të rregullt, ndërsa raport nëse ka ndonjë ndryshim do të duhet të jepen në kohë reale”.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit, kërkon që Kuvendi me procedurë të shkurtuar të miratojë ndryshime ligjore që do të ndalonin prodhimin e marihuanës për qëllime të supozuara mjekësore.
LIDHJA DEMOKRATIKE E PAVLE TRAJANOVIT
“Kërkojmë që Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucione të tjera kompetente, të shpallë se sa sasi kanabisi janë prodhuar, ku janë këto sasi dhe sa fitim është bërë”.
Nga partia e Trajanovit, kërkojnë që përgjegjësia të zgjerohet edhe ndaj bartësve të funksioneve në ministritë kompetente, të cilët kanë dhënë licenca dhe kanë dështuar në kontrollin e zbatimit të ligjit për të parandaluar abuzimet.
Samir Mustafa /SHENJA/


