LSDM është e gatshme që presidentit Gjorgji Ivanov t’i prezantojë edhe një herë garancitë se Qeveria e re do të respektojë Kushtetutën dhe do ta ruaj sistemin unitar të shtetit. Nga kjo parti paralajmëruan se nga nesër, në çdo moment pritet që Zoran Zaev ta vizitojë Ivanovin dhe t’ia plotësojë kërkesën e parashtruar dje publikisht. Por Damjan Mançevski nga LSDM ftoi kreun e shtetit që edhe ai të respektojë kushtetutën dhe t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë, kreut të kësaj partie, Zoran Zaev.
“Nevojitet urgjentisht të debllokohen proceset demokratike, Gjorgji Ivanov menjëherë ta jep mandatin për formimin e Qeverisë kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev. Të gjithë qytetarët pa dallim nëse janë bujq, punëtor, arsimtarë apo çfarëdoqofshin tjetër kanë nevojë urgjente për stabilitetin e shtetit. Gjithçka që duhet do të bëjmë që përfundimisht ta stabilizojmë shtetin. Edhe kryetari Zaev tha se nuk vuan nga egot dhe absolutish nuk është me rëndësi kush ku do të shkojë i pari, me rëndësi është që të përfundohet punë dhe në fund të ditës Ivanov ta respektojë Kushtetutën dhe ta jep mandatin. Sinqerisht nuk besoj se kjo mund të ndodh pikërisht sot, por secilën ditë ështe e mundur”, ka deklaruar Damjan Mançevski, LSDM.
Nga LSDM nuk precizuan ditën se kur lideri i tyre do të takojë presidentin Ivanov, por nga kjo parti nuk kanë përjashtuar mundësinë që kjo të ndodh nesër ose gjatë fundjavës. Pas kësaj pritet që brenda javës së ardhshme Ivanov të përgjigjet nëse është bindur ose jo nga garancitë e liderit të LSDM-së dhe nëse do t’i përgjigjet pozitivisht edhe letrës që ka pranuar nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi me kërkesë të njëjtë. Ky i fundit sot është shprehur i bindur se së shpejti do të formohet Qeveria e re dhe Kuvendi bashkë me ekzekutivin do të fillojnë me debllokimin e proceseve demokratike.
“Shpresoj se me zgjedhjen time si kryeparlamentar dhe së shpejti edhe me formimin e qeverisë së re do të krijojmë kushte për fillimin e procesit me të cilin si shtet por edhe si shoqëri do të kthehemi në rrugën e mirëfillt, i cili çon në krijimin e shtetit funksional, me institucione të pavarura, që do të punojnë para se gjithash në mirëqenien e çdo qytetari”, ka thënë Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Nga LSDM sqaruan se edhe për zgjatjen e mandatit të kryetarëve të Komunave nevojitet fillimisht ndarja e mandatit dhe formimi i Qeverisë së re, pasi për çdo ndryshim ligjor do të nevojitet edhe mendimi i Ministrisë së drejtësisë.
Mançevski: Ivanovit do t’ia përsërisim garancitë by tvshenjaofficial

