“Sistemi arsimor, duke filluar nga ai fillor, i mesëm ose edhe i lartë, nuk arrin t’i përmbushë në tërësi planifikimet mësimore dhe nxënësit nuk arrijnë t’i fitojnë njohuritë e duhura dhe të parapara sipas programeve lëndore”, tha Lulzim Aliu nga AlternAtivA.
Sipas tij gjysmëvjetori i dytë, në shkollat fillore dhe të mesme, ose semestri veror, në universitete, nuk do të arrijë ta përmbushë realizimin e plotë të programeve të parapara mësimore ose studimore. Edhe pse Qeveria e Maqedonisë së Veriut, konkretisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka paraparë disa masa që nënkuptojnë realizimin e mësimit në distancë (mësimi on-line), siç duket, kjo nuk arrin t’i përmbushë të gjitha kërkesat dhe nevojat që i kanë nxënësit për vjeljen e njohurive në nivelet e ndryshme të arsimimit. Pompoziteti i madh, që i bënte ministri i Arsimit mësimit në distancë dhe platformës elektronike që e promovonte Ministria, nuk arriti të vendoset në funksion të plotë. Qoftë për shkak të mungesës së qasjes në internet, mungesës së pajisjeve adekuate elektronike, mungesës së kuadrit arsimor të trajnuar për realizimin mësimdhënies në formë të tillë, mungesës së idesë se si do të realizohet kontrolli i njohurive të nxënësve dhe, përfundimisht, edhe për shkak të mungesës së mënyrës së vlerësimit të arritjeve të nxënësve, mund të thuhet se kjo gjendje e jashtëzakonshme e ka gjetur plotësisht të papërgatitur Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe për shkak të kësaj dobësie mund të thuhet se ky vit shkollor ose akademik do të mbetet vit me shumë zbrazëti në vjeljen e njohurive nga ana e nxënësve, përkatësisht studentëve”, ka thënë nënkryetari i AlternAtivA-s, Lulzim Aliu.