Deputeti i VMRO-DPMNE-së Mile Lefkov ka deklaruar se ekzistojnë dyshime të bazuara në fakte se ka pasur një operacion të pasuksesshëm të koordinuar diskreditimi të kryer nga shërbimet bullgare dhe bashkëpunëtorët e tyre në Maqedoni të Veriut. Ai sqaron se bëhet fjalë për përhapje të dezinformatave dhe aferave të sajuara të cilat publikohen në portale bullgare.
MILE LEFKOV, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË
“Kemi dyshim të bazuar, të mbështetur në informacione dhe fakte të sakta, se aktualisht po kryhet një operacion diskreditimi i koordinuar dhe i synuar kundër Republikës së Maqedonisë, kundër Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe personalisht kundër kryeministrit Mickoski. Ky operacion po kryhet duke përdorur metoda klasike hibride: përhapje informacionesh të rreme, afera të sajuara, dokumente të sajuara, diskreditim personal dhe familjar si dhe abuzim me tragjedi njerëzore dhe insinuata ekonomike “.
Ai tha se këto aktivitete, të cilat intensifikohen pas çdo disfate të diplomacisë bullgare në institucionet evropiane, udhëhiqen nga një rrjet portalesh mediatike në Bullgari, pas të cilave qëndrojnë struktura të shërbimeve bullgare dhe qarqe të afërta me partitë nacionaliste si dhe potencoi se përmbajtjet e tilla po shpërndahen edhe nga portalet e LSDM-së.
MILE LEFKOV, DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË
“Më parë, Laboratori i Kërkimeve Forenzike Digjitale DFRLab zbuloi një rrjet prej qindra portalesh të koordinuara me origjinë nga Bullgaria, të cilat përdoren për të përhapur narrativa anti-perëndimore dhe anti-maqedonase. Sipas raportit të tyre, ata veprojnë përmes nën-domeneve dhe faqeve të sinkronizuara në Facebook, me qëllim mbështetjen e agjendave që bien ndesh me vlerat e demokracisë, stabilitetit dhe kursit euro-atlantik”
Sipas VMRO-së, një pjesë e kësaj përmbajtjeje, për fat të keq, merret edhe nga portalet të afërta me LSDM-në, e cila sipas tyre në vend që të distancohet nga operacione të tilla shkatërruese, vazhdon të marrë pjesë në to me idenë se nëse dëmton VMRO-DPMNE-në, do të kthehet në pushtet.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/