Lidhur me tenderin siç e quajnë nga partia opozitare maqedonase, LSDM, skandaloz në SHA Posta e Maqedonisë, LSDM kërkon që Prokuroria Publike menjëherë të hapë lëndë dhe të nisë hetim. Sipas LSDM-së, tenderi prej 1,2 milionë eurosh i është dhënë një firme të lidhur me një këshilltar të ZNAM-it.
LSDM
“Prokuroria nuk guxon të heshtë për tenderët kriminalë, por duhet të veprojë”.
Nga LSDM, theksojnë se Ekipi Antikorrupsion ka publikuar pretendime konkrete dhe prova nga një informatorë, i cili është punonjës në Postë.
Sipas njoftimit, ekzistojnë dyshime serioze për keqpërdorim të parave publike dhe vjedhje sistematike, ku, sipas LSDM-së, mbi 300.000 euro në vit përfundojnë në skema korruptive.
Nga LSDM paralajmërojnë se nëse institucionet nuk veprojnë, kjo do të thotë se mbrohen
LSDM
“Ne kërkojmë që Prokuroria Publike menjëherë të hapë lëndë dhe të nisë hetim. Çdokush që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi. Puna nuk ka përfunduar”.
“Bombën” për tenderin e dyshimtë LSDM e publikoi të dielën, duke deklaruar se sipas dokumenteve që kanë marrë nga një informator, kompanisë “BS Klining Import-Eksport SHPKNJP Shkup”, që është e afërt me Lëvizjen ZNAM, i është dhënë një tender në vlerë prej 1,2 milionë eurosh nga shoqëria aksionare shtetërore “Posta e Maqedonisë së Veriut”. Kompania është themeluar më 10 korrik 2024, ndërsa kontrata e lidhur ka të bëjë me pastrimin dhe mirëmbajtjen e higjienës në objektet e Postës. Në momentin e aplikimit, siç thonë nga LSDM, kjo kompani nuk i ka përmbushur kushtet themelore të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit.
Sekretari i përgjithshëm i partisë, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, dje publikoi detaje të reja për tenderin e dyshimtë, sipas të cilave, edhe pse figurojnë si të punësuar me orar të plotë, mirëmbajtësit e angazhuar në SHA “Posta” punojnë me orar të shkurtuar dhe në numër më të vogël sesa nevojitet.
Nga Lëvizja ZNAM reaguan ndaj akuzave duke theksuar se lëvizja nuk ka pasur asnjë ndikim partiak-politik në asnjë procedurë të prokurimit publik. Ata u bënë thirrje institucioneve kompetente që, nëse konstatojnë ndonjë konflikt interesi, shkelje të procedurës apo të ligjeve, të veprojnë në përputhje me normat ligjore.
Samir Mustafa /SHENJA/


