LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në dhe Mickoskin se po refuzojnë qëllimisht të nënshkruajnë një rezolutë për ndalimin e pranimit të migrantëve për para, duke pretenduar se ekzistojnë marrëveshje të fshehta dhe interesa financiare. Sipas tyre, pushteti po e mban vendin të izoluar nga BE-ja për të shmangur kontrollin evropian dhe përgjegjësinë, ndërsa kriza buxhetore përdoret si arsye për pranimin e migrantëve në këmbim të kredive.
ALEKSANDAR SASHA DIMITRIJEVSKI, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I LSDM-SË
“Në buxhet nuk ka para. Për herë të parë në histori, nesër – më 15 dhjetor – mbyllet Thesari. Shteti po vonon me të gjitha pagesat: nuk ka para për paga, pensione, ndihmë sociale… Vrima financiare arrin të paktën 1 miliard euro. Por pushteti nuk kujdeset për qytetarët, kujdeset vetëm për veten, për bizneset me tenderë të kurdisur. Prandaj po e shesin Maqedoninë. Prandaj kanë pranuar migrantë si paketë me kredi prej 6 miliardë eurosh”.
Ndërkaq, VMRO-DPMNE i hedh poshtë këto akuza, dhe paralajmëron një rezolutë parlamentare që dënon dezinformatat, anulon marrëveshjet e mëparshme për kampet e migrantëve dhe vendos politika të qarta kundër migracionit të paligjshëm.
NIKOLLA MICEVSKI, KOORDINATOR I VMRO- SË
“Rezoluta përbëhet nga 9 pika dhe në të dënohen dezinformatat për pranimin e supozuar të migrantëve dhe ndërtimin e kampeve, konfirmohet se politika të tilla nuk ekzistojnë dhe nuk do të ekzistojnë, anulohen të gjitha marrëveshjet e mëparshme të qeverisë së Zaevit lidhur me kampet e migrantëve dhe bëhet thirrje për diskurs të përgjegjshëm dhe të qartë, mbrojtje të sigurisë, stabilitetit dhe marrëdhënieve ndëretnike”.
Micevski sqaroi se Rezoluta vendos një politikë të qartë shtetërore kundër migracionit ilegal dhe hyn në fuqi menjëherë pas miratimit të saj. Rezolutën VMRO-DPMNE do ta propozojë në Kuvend dhe i fton të gjitha partitë parlamentare që ta mbështesin atë. /SHENJA/


