LSDM opozitare akuzon pushtetin se i ka harxhuar 30 mijë euro për ushqime lukzose nëpër restorante, për vetëm 4 muaj. Sipas zëdhënës së partisë, Bogdanka Kuzeska derisa punëtorët numërojnë ditët për të arritur te paga, ministrat e VMRO-DPMNE-së harxhojnë dhjetëra mijëra euro për ushqime. Listën e kryesojnë siç thotë ajo, ministri i Jashtëm Timço Mucunski, ministri i Drejtësisë Igor Filkov dhe ai i Kulturës Zoran Lutkov.
Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së
“E besoni apo jo, në katër muajt e parë të vitit, kjo qeveri ka shpenzuar mbi 30 000 euro nëpër ristorante të shtrenjta në Shkup. Festa, dreka, darka kanë paguar pothuajse të gjithë ministrat, ndërsa faturat të cilat janë të qasshme në ‘Financa të hapura’ janë të larta. Disa pagesa janë nëvlerë prej 3000 eurosh”.
Ndaj këtyre akuzave, është përgjigjur VMRO me kundërakuza. Përmes një komunikate dërguar mediave, thonë se kanë harruar që pikërisht ministrat e tyre harxhonin qindra mijëra euro për koktej, hotele dhe aplikacione mobile nga 300 000 euro.
VMRO-DPMNE
“Kuzeska të përgjigjet qartë se sa para u vodhën nga shefat e saj në ato tendera në katër sy, pa shpallje dhe konkurrencë? Sa herë stafi juaj udhëtoi me aeroplanë privatë ndërsa njerëzit ishin të mbyllur në shtëpitë e tyre? Nuk ju shqetëson luksi – ju shqetëson që nuk jeni më në pushtet”.
Këto akuza të partive më të mëdha maqedonase po bëhen në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, të cilët po kërkojnë që paga minimale të bëhet 500 euro.
Emine Ismaili /SHENJA/