LSDM përsëri ka paralajmëruar se në një të ardhme të afërt, shumë shpejt, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën do të marrin përgjegjësitë në Kuvend dhe do të zgjedhin kryeparlamentarin e ri dhe më pas edhe Qeverinë e re. Lupço Nikollovski, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve tha se nuk mund të publikojnë detajet e strategjisë së paralajmëruar nga kjo parti dhe se pritjet e deritanishmë kanë qenë për shkak të kujdesit që ka treguar LSDM.
“Opozita e deritanishme e përfaqësuar në Kuvend si shumicë përmes 67 deputetëve, gjatë gjithë periudhës, sillet me shumë durim, kujdes dhe përgjegjësi dhe jemi të bindur se shumë shpejt, në interest ë qytetarëve, pikërisht kjo shumicë parlamentare në Kuvend, do të mer përgjegjësinë dhe obligimet për të debllokuar Kuvendin. Këtë të drejtë dhe obligim na kanë dhënë 700 mijë qytetarë në zgjedhje”, Lupço Nikollovski nga LSDM.
Por nga VMRO-DPMNE përsëri kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë realizimin e asnjë skenari, që sipas tyre ka për qëllim realizimin e platformës shqiptare. Ata akuzuan LSDM-në se ka shitur interesat kombëtare dhe shtetërore, si dhe përsëritën kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
“LSDM është në anën e kundërt të popullit. LSDM sheh armiq tek të gjithë që e duan atdheun. Dalje e vetme nga kjo situatë në të cilën LSDM-ja kriminogjene e ka future shtetin, është një dhe e vetme, zgjedhjet e reja parlamentare. Vetëm kështu qytetarët qartë do të mund të shprehen rreth platformës së Tiranës. Vetëm kështu qytetarët e Republikës së Maqedonisë nuk do të ndjehen të mashtruar”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Debati në Kuvend për formimin e komisionit për zgjedhje dhe emërim u ndërpre dje dhe vazhdimi i saj u caktua për të martën. Në këtë séance, LSDM kërkoi kalimin e pikës së tretë dhe hapjen e debatit për pikën e katërt, gjegjësisht zgjedhjen e kryetarit të ri për Kuvendit. Edhe pse paralajmëruan se kanë një strategji për ta realizuar këtë, edhe pas një jave LSDM nuk ndërmori asnjë veprim konkret. Nga VMRO-DPMNE gjatë gjithë kohës kanë akuzuar se strategjia e LSDM-së është një skenar për marrjen e Kuvendit me dhunë.
Arben Zeqiri /SHENJA/
LSDM dhe VMRO akoma vazhdojnë me qëndrimet e… by tvshenjaofficial