Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, akuzon VMRO-DPMNE-në për korrupsion të rëndë në sektorin e bujqësisë. Deputeti i opozitës, Lupço Nikollovski paralajmëroi se për shkak të një skandali me drejtorin e Agjencisë së Pagesave, Ilija Stoilev, Bashkimi Evropian mund të pezullojë programin IPARD-3, me vlerë 128 milionë euro, që ishte i destinuar për mbështetje të bujqve dhe zhvillimin rural. Sipas Nikollovskit ky është një dëm i madh jo vetëm për bujqit, por për të ardhmen e vendit si shtet evropian
LJUPÇO NIKOLLOVSKI, DEPUTET
“Për shkak të këtij skandali, në rrezik janë 128 milionë euro të programit IPARD-3, para që duhej të ishin motor i zhvillimit të bujqësisë sonë. Kjo nënkupton se nuk do të ketë më thirrje të reja, kontrata të reja dhe as pagesa për projektet që janë në zhvillim. Mijëra bujq dhe agrobiznese tani përballen me pasiguri dhe me frikën se mund të humbin investimet e tyre. Sa herë që VMRO-DPMNE është në pushtet, mbështetja nga BE vihet në pikëpyetje“.
Ai kujton se në vitin 2017, kur LSDM erdhi në pushtet, shfrytëzimi i fondeve IPARD ishte vetëm 12%. Sipas Nikollovskit gjatë qeverisjes së LSDM-së, programi u përmirësua deri në 100% shfrytëzim të fondeve IPARD-2 dhe Maqedonia u bë lidere në rajon. Përfundon, se në vetëm një vit e gjysmë pushteti aktual e ka shkatërruar sistemin e ndërtuar. Nga LSDM kërkojnë që institucionet të veprojnë menjëherë dhe të garantojnë transparencë, në mënyrë që vendi të mos humbasë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.
Mevludin Imeri /SHENJA/


