Në shtator një mision vlerësues i Komisionit të Venedikut, do të vijë në Shkup për të intervistuar palët që e kanë përgatitur ligjin për përfaqësim të drejtë. Këtë e bëri me dije zëvendës kryeministri Arben Fetai, në pyetjen se në çfarë faze është ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuad, i cili u dërgua për vlerësim në Komisionin e Venedikut.
Arben Fetai, zv/kryeministër
“Këtë jave kemi marrë informatë kthyese nga Komisioni Venedikut se do të ketë një mision vlerësues ku sipas praktikës së tyre, ata do vijnë në Shkup gjatë muajit shtator, për të intervistuar palët e përfshira në këtë proces dhe për të dhënë mendimin e tyre rreth projekt ligjit në fjalë”.
Më 24 qershor Qeveria miraton Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Version zyrtar i ligjit nuk është bërë publik, mirëpo nga Qeveria janë zotuar se projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është garancë se bashkësitë etnike do të jenë të përfaqësuara në mënyrë adekuade dhe të drejtë. Mirëpo pati një sërë kritikash nga ana e opozitës shqiptare, të cilët thanë se ligji ka mungesë të garancës për zbatimin efektiv të saj dhe mungesë të sanksioneve për respektimin e tij.
Pas opinionit të Komisionit të Venedikut, propozim-ligji do të procedohet në Kuvend për miratimin përfundimtar. Ky akt ligjor synon të zëvendësojë mekanizmin e njohur si “balancuesi”, i cili deri tani ka qenë instrumenti kryesor për zbatimin e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve në institucionet publike.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/