Në prag të seancës së Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e iniciativave që kontestojnë një pjesë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska – Davkova porositi liderët partiakë që të përmbahen nga komentet para vendimit të Gjykatës kushtetuese lidhur me këtë çështje. Duke komentuar deklaratën e mbrëmshme të liderit të BDI-së Ali Ahmeti, i cili mbrëmë porositi Gjykatën Kushtetuese që nëse nuk hedh poshtë të gjithë 13 iniciativat kundër ligjit të gjuhëve, nuk do të ketë paqe, presidentja tha se kjo deklaratë është politike, ndërkaq shtoi se gjykata duhet të punojnë në përputhje me Kushtetutën.
Gordana Siljanovska – Davkova, Presidente e RMV-së
“Vendimet e Gjykatës janë përfundimtare dhe ekzekutive dhe liderët e partive dhe politikanët duhet të përmbahen nga komentet. Më së paku që mund të bëjnë është të lënë që Gjykata Kushtetuese të punojë në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren”.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski tha se, nesër nuk do të ndodhë asgjë dhe situata është nën kontroll, ndërkaq porositi qytetarët që të jenë të qetë.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Këta të Bashkimit Demokratik për Integrim e kam shumë të qartë se si funksionon Gjykata Kushtetuese sepse, ata i kanë zgjedhur gjykatësit atje. Qëllimi i atyre ishte që si brejtës politik të presin dhe të shohin, e dinë si shkojnë procedurat, do të bëjnë presion politik dhe kur nesër nuk do të ndodhë asgjë, të dalin në opinion dhe të thonë “ja për shkak se ne bëjmë presion u anulua gjithë kjo”. I lus bashkëqytetarët tanë shqiptarë, maqedonas dhe të gjithë, të jenë të qetë, gjithë çështja është nën kontroll, të mol lejojmë të biem pre e provokimeve të këtyre njerëzve. Nesër nuk do të ndodhë asgjë, kështu që e gjithë situata është nën kontroll”.
Izet Mexhiti nga VLEN, duke komentuar protestën e BDI-së me tenda para Gjykatës Kushtetuese tha se, ka qenë pikërisht kjo parti e cila ka lënë zgjidhje gjysmake dhe tani ballafaqohemi me situata të këtilla edhe për përfaqësimin adekuat edhe për ligjin e gjuhëve
Izet Mexhiti, VLEN
“Nëse u abrogua nga Gjykata Kushtetuese e tyre balancuesi, ne kemi marrëveshje politike që të avancohet në ligj për përfaqësimin adekuat të shqiptarëve. Ne si VLEN thamë se, ligji nuk do të preket. Gjykata Kushtetuese këtë e vërtetoi, veç më ka dalë dokumenti që nuk preket as ligji i gjuhëve, as përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, të njëjtën e tha kryeministri, të njëjtën e tha kryetarja e shtetit, pse i kanë nxjerrë tendat mendoj vetëm ato e kanë të qartë. Nuk e kanë hallin te gjuha, e kanë hallin te korrupsioni dhe përgjegjësia që veç më po e japin”.
Kujtojmë se, Gjykata Kushtetuese nesër do të mbajë seancën ku në rend dite është shqyrtimi i iniciativave që janë dorëzuar kundër ligjit për përdorimin e gjuhëve e të cilat datojnë nga viti 2019. Anëtarët shqiptarë që janë pjesë e kësaj gjykate kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në seancë.
Teuta Buçi /SHENJA/