Pas dorëzimit të propozim ligjeve për masa ekonomike në Kuvend, LSDM i ka bërë thirrje sot pushtetit dhe deputetëve të shumicës t’i pranojnë këto zgjidhje ligjore për uljen e TVSH-së së energjisë elektrike në 5% dhe shfuqizim të TVSH-së për produkte ushqimore. Opozita maqedonase vlerëson se, në këtë mënyrë do t’u ndihmohet qytetarët dhe përfitimet e qytetarëve do të jenë direkte dhe do t’i ndjejnë menjëherë.
Jovanka Trençevska, deputete e LSDM-së
“Rryma do të lirohet për 13% – qytetarët do të kursejnë rreth 400 denarë për faturë prej 3.000 denarë. Mbi 600 mijë amvisëri do të kenë menjëherë ulje drastike të faturave të energjisë elektrike. Mbi 250 kategori të produkteve ushqimore do të lirohen për 5%. Kjo sjellë kursim direkt prej 2.000 denarë në muaj apo 24.000 denarë në vit. Për këtë, këto ligje duhet menjëherë të miratohen. Çdo zvarritje nënkupton goditje e re ndaj buxheteve familjare. Është koha për zgjidhje reale në interes të qytetarëve”.
Nga VMRO DPMNE janë përgjigjur se, LSDM nuk është kredibile për të propozuar ligje të tilla pasi janë përgjejgës direkt për gjendjen aktuale ekonomike në shtet. Deputeti Bojan Stojanovski tha në një konferencë për media, se pikërisht anëtarët që sot bëjnë thirrje për t’u votuar këto ligje, kanë qenë ata të cilët kanë votuar që TVSH-ja për energjinë elektrike të rritet nga 10 në 18%.
Bojan Stojanovski, deputet i VMRO-së
“Po ashtu TVSH-në e ushqimit e rriten për një numër të madh të produkteve nga 5 në 10%. Dallimi është në atë se atëherë kishin inflacion dyshifror dhe kishte më shumë të ardhura në buxhet në bazë të TVSH-së që tani nuk është ashtu. Ajo masë mund të mendohet seriozisht nëse do të kishim hapësirë në buxhet, afërsisht 70 milionë euro që tani duhet t’i gjejmë për t’i kthyer në lidhje me tatimit jokushtetuese të solidaritetit. Unë ju bëj thirrje që të jenë serioz në masat që i propozojnë, sepse tani nevojitet seriozitet e jo pamflete politike që nuk do të japin asnjë rezultat”.
Qeveria sot duhet të marrë vendim në lidhje me kufizimin e marzhës për produktet ushqimore. Vendimi për këtë masë ishte paralajmëruar për javën e kaluar, megjithatë propozimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës që masa të kufizohet në 10% për produktet bazë, u kundërshtua nga Oda Ekonomike e Tregtarëve me Pakicë dhe Shumicë. Ministri i Ekonomisë javën e kaluar zhvilloi takim me përfaqësuesit e tregtarëve, ku ata dhanë vërejtjet dhe propozimet e tyre dhe u paralajmërua që gjatë kësaj jave të merret një vendim përfundimtar.
Teuta Buçi /SHENJA/