Lidhja Europiane për Ndryshim ka formuar Trupin Koordinativ të koalicionit duke unifikuar edhe më shumë forcat politike opozitare. Partitë opozitare shqiptare theksojnë se Trupi Koordinativ ka diskutuar në lidhje me interesimin e vazhdueshëm që po i bashkohen koalicionit.
LIDHJA EVROPIANE PËR NDRYSHIM
”Lidhja Europiane për Ndryshim, në takimin e sotëm ka formuar Trupin Koordinativ të koalicionit, duke e bërë edhe një hap drejt unifikimit të forcave politike opozitare për të finalizuar përpjekjet e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut me qëllim mposhtjen e BDI-së së korruptuar dhe kriminalizuar. Ky thellim i bashkëpunimit ka një zotim të qartë politik, sjelljen e ndryshimit duke u profilizuar kështu si shpresa e vetme që mund ta mundësojë këtë synim të shqiptarëve”.
Ndërkaq, nga njëra prej partive që përbëjnë Lidhjen Evropiane për Ndryshim, Lëvizja Besa, ka reaguar ndaj partive në pushtet. Zëdhënësja e Lëvizjes Besa, Lulzime Ameti, akuzon partitë në qeveri se janë siç thot ajo, të sëmurë nga pandemia e korrupsionit, ndërsa ajo shton se shërimin do e gjejnë së shpejti në opozitë.
LULZIME AMETI, ZËDHËNËSE E LËVIZJES BESA
“Se kjo Qeverie udhëhequr nga BDI, LSDM dhe ASH, që të mund të vjedhin edhe më shumë, largohen nga SHBA-ja, e cila paguan dhe kontribuon për vendosjen e drejtësisë në vend dhe i afrohen Rusisë, së cilës nuk i pengon krimi që ndodh në vendin tonë, por interesat e biznesmenëve të saj të cilët investojnë në biznese komari dhe kredi të shpejta”
Nga Lëvizja Besa theksojnë se në çdo institucion rritet korrupsioni, qytetarët varfërohen, ndërsa funksionarët e pushtetit të BDI-së, LSDM-së, Aleancës për Shqiptarët po pasurohen.
Samir Mustafa /SHENJA/