Rritje të pagave minimale, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe inkurajimin e procesit të negocimit kolektiv. Këto mes tjerash parashihen në Protokollin për Zhvillim Social, të propozuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Zhivko Mitrevski, kryetar i Lidhjes s Sindikatave, tha se të dhënat e fituara nga analizat thonë se 40 për qind e të punësuarve punojnë për një pagë prej 12 deri 15 mijë denarë, ndërsa vetëm 3.2 për qind, për një pagë prej mbi 30 mijë denarëve.
“Vetë fakti që një numër i madh i dallimeve që shfaqen në pagat mes të punësuarve me marrëdhënie pune jostandarde, për shembull me marrëveshje të përkohshme, marrin 30 për qind paga më të ulëta se ata që kanë marrëveshje me kohë ta pacaktuar. Kjo flet mjaftueshëm se sigurinë në vendet e punës patjetër duhet ta forcojmë”, tha kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski.
Mitrevski theksoi se parashihen edhe kërkesa të veçanta për zonat industriale, ku mbi 90 për qind e punësimeve bëhen me marrëveshje të përkohshme, duke shtuar se kërkesat janë që të rregullohet me ligj që të paktën 30 për qind e të punësuarve të jene me marrëveshje me kohë të pacaktuar. Mitrevski tha se ky dokument do t’i dorëzohet Qeverisë, posa të formohet ajo.
“Kuptohet se pas formimit të Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë, këtë dokument strategjik apo ky fondament i pikëpamjeve tona për zhvillimin e të drejtave të punëtorëve dhe pozitës së tyre ekonomike dhe sociale, do ta dorëzojmë tek Qeveria dhe tek ministritë përkatëse”, theksoi Mitrevski.
Protokollin për Zhvillim Social, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e ka përpiluar duke u bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë, si dhe në konceptin e të drejtave sociale të definuar sipas Bashkimit Evropian.

