Lëvizja BESA ka reaguar ndaj konferencës për shtyp të kryeministrit Zaev dhe ndaj zëvendësit të tij për çështje evropiane, Bujar Osmani, ku u prezantua plani i Qeverisë lidhur me reformat. Nga Lëvizja BESA vjerësojnë se ky plan shpërfill dhe nënçmon shqiptarët, ndërsa u bëjnë thirrje BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët që të vetëdijësohen dhe të shfrytëzojnë rastin historik që kanë në dorë shqiptarët, e të mos udhëhiqen nga interesat e ngushta personale dhe grupore.
“Të prezantosh një projekt me 7 faqe dhe as 7 rreshta të mos ia kushtosh qytetarëve shqiptarë është një nënçmim që deri sot kanë mundur ta bëjnë vetëm Gruevski dhe partnerët e tij. Lëvizja BESA apelon deri te qeveria LSDM-BDI-Aleanca që të ndërpresë sa më shpejtë këtë qasje të mbrapshtë ndaj problemeve të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.
Nga BESA e kanë cilësuar planin e Qeverisë si një strategji e kopjuar dhe e ricikluar nga qeveria e mëparshme VMRO-BDI, duke shtuar se nëse jetësohen projektet dhe politikat e kësaj qeverie, pasojat nuk do të jenë vetëm 100 ditëshe, por shumë më afatgjata.
“Zaten nga një qeveri me kuadro të ricikluara, nuk mund të priten projekte origjinale.
Kjo strategji tregon se qeveria e Zoran Zaevit, nuk e ka ndërmend të merret seriozisht me çështjet kryesore që tangojnë qytetarët e Maqedonisë, e aq më pak me çështjet që tangojnë qytetarët shqiptarë në Maqedoni”, thuhet më tej në reagim.
Lëvizja BESA apelon deri te qytetarët shqiptarë që të jenë vigjilent dhe të gatshëm për të reaguar duke përdorë të gjitha format demokratike, për të ndërprerë, siç thuhet në kumtesë, avazin e vjetër të qeveris së re.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Lëvizja BESA: Qeveria e re po shpërfillë… by tvshenjaofficial

