Kompania MEPSO ka ankimuar vendimin e trupit paraprak të arbitrazhit, i cili vendosi në favor të kompanisë Energoinvest nga Sarajeva për projektin e interkonektorit energjetik me Shqipërinë. Nga MEPSO thonë se kanë argumente të forta juridike dhe janë të bindur se procesi arbitrar do të përfundojë në favor të tyre.
Gjatë brifingut me gazetarët, drejtori i MEPS-os, Burim Latifi, tha se kontrata me Energoinvestin është ndërprerë në fund të vitit 2024 pas analizave të detajuara dhe ekspertizës forenzike, të cilat kanë konstatuar shkelje serioze në realizimin e projektit. Ai tha se kompania kishte realizuar vetëm katër për qind të punimeve në terren.
BURIM LATIFI, DREJTOR I MEPSOS
“Analiza forenzike tregoi qartë se nuk kishte gatishmëri për vazhdimin e ndërtimit të linjës energjetike. Mosrealizimi i obligimeve kontraktuale dhe largimi nga kantieri krijuan bazë për ndërprerjen e kontratës”.
Nga MEPSO shtojnë se gjatë procedurës janë konsultuar edhe dy kompani prestigjioze avokatie nga SHBA-ja, të cilat kanë vlerësuar se ekziston bazë e fortë juridike për arbitrazhin. Sipas tyre, edhe nëse do të ishin miratuar mjetet shtesë prej 7,7 milionë eurosh të kërkuara nga Energoinvesti, projekti sërish nuk do të mund të realizohej. Nga atje theksojnë se kontrata ka pasur probleme serioze dhe humbje për shtetin dhe se vendimi për ndërprerjen e saj është marrë mbi bazë profesionale dhe në interes të institucioneve.
BURIM LATIFI, DREJTOR I MEPSOS
“Për shkak të mosrealizimit të projektit, shteti deri më tani ka humbur rreth 19,8 milionë euro, ndërsa sipas vendimit të trupit paraprak të arbitrazhit, MEPSO duhet të paguajë edhe gjashtë milionë euro dëmshpërblim për ndërprerjen e njëanshme të kontratës”.
Procesi arbitrar mes MEPSO dhe Energoinvestpritet të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, ndërsa nga epilogu i këtij rasti do të varet edhe ecuria e mëtejshme e projektit strategjik të interkonektorit energjetik me Shqipërinë.
Samir Mustafa /SHENJA/


