
Më një duartrokitje të gjatë, miq, familjarë, artist, kolegë, student nderuan për herë të fundit aktorin pedagogun e artit, Sefedin Nuredini i cili dje u nda nga jeta. Në skenën e teatrit të Komedisë në Shkup, para të pranishmëve në mbledhjen komemorative, fjalë miradije mbajtën shumë artist, drejtues institucionesh dhe kolegë të Sefedin Nuredinit, studentit të parë shqiptarë të fakultetit të dramës në Universitetin e Shkupit, dhe themeluesit dhe ligjëruesit të parë të fakultetit të arteve degës së aktrimit në Universitetin Shtetërorë të Tetovës.
“Më ra në hise qoftë si drejtor i institucionit, apo edhe si student i yti i parë për të gjetur fjalët që vërtetë shumë vështirë mund të gjinden dhe të përshkruhet madhështia jote. Nga gjithë ato fotografi në sirtarin e vetë që teatri ka ne gjetëm këtë fotografi për të kujtuar të qeshurën, ashtu siç ishe”, tha drejtori i Teatrit Shqiptarë të Shkupit, Adem Karaga.
“Me pikëllim të madh pranuam lajmin për vdekjen e profesorit, regjisorit dhe udhërrëfyesit i shumë gjeneratave që donin të bëhen aktor. Ti prof, ashtu të quajtëm, jo vetëm që ishe profesor dhe koleg i yni, por ishe edhe nismëtarë edhe i shumë projekteve kulturore kombëtare”, tha drejtori i Teatrit të Kumanovës, Enver Halimi.
Përveç familjarëve, dhimbjen më të madhe për ndarjen nga Sefedin Nuredini e përjetuan edhe kolegët me të cilët ai kishte bashkëpunuar më së shumti dhe kishin luajtur bashkë në shumë shfaqe teatrale.
“Tani ndjehem e vetmuar, e përgjysmuar, shumë e mërzitur, sepse më mungon, sepse rolin tim të parë e kam pasur me Sefën, diplomën time, po ashtu edhe rolin tim të fundit. Sefa do të mbetet i pavdekshëm në kujtimet tona”, tha aktorja Teuta Ajdini.
Sefedin Nuredini do të mbahet mend si veteran i teatrit dhe filmit, me 90 role të luajtura në karierën e tij, si dhe për shumë regji dhe skenarë të shfaqjeve teatrale dhe filmike. Nga gjeneratat e reja të aktorëve do të kujtohet edhe si profesor i palodhshëm që nga hapja e fakultetit të arteve në USHT. Në pamundësi për të marrë pjesë fizikisht, shumë kolegë të tjerë që momentalisht ndodhen jashtë vendit, përfaqësues të institucioneve dhe Ministrja e Kulturës, kishin dërguan edhe telegrame ngushëllimi për familjen dhe fjalë miradije për jetën dhe veprën e Nuredinit të cilat u lexuan në mbledhjen komemorative ku ju dha përshëndetja e fundit.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Lamtumirë aktorit dhe regjisorit Sefedin Nuredini by tvshenjaofficial