Shkruan: Emad MEHMETI
Në mëngjesin e 9 Majit të vitit 2015 banorët e Lagjes së Trimave në Kumanovë u zgjuan mes krismave dhe terrorit psikologjik. Po përballeshin me një luftë të vërtetë. Vetëm se nuk e dinin se kush me kënd po lufton. Me vazhdimin e luftimeve zgjatej ankthi tek ta, dhe përderisa numëronin tik – taket e orës, plumbat me breshëri përshkonin nëpër dritare e gjithandej shtëpive. A thua kush po sulmon? Me siguri pyetnin ndër vete banorët e kësaj zone. Por, nuk ishin vetëm banorët e Lagjes së Trimave që po përjetonin ankthin, pasi e gjithë shqiptaria kishte sytë në këtë lagje, me brengën se ç’po ndodhte me popullsinë aty.
Më vonë u kuptua se përleshja e armatosur kishte ndodhur mes policisë së shtetit dhe “Grupit të Kumanovës”. Bilanci i kësaj tragjedie ishte me 8 jetë të humbura të policëve të MPB-së, ndërsa u vranë 10 anëtarë të Grupit të Kumanovës. Më pas lindën dyshime se dy protagonistët e rastit Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj u ekzekutuan pas arrestimit. Kjo çështje edhe sot e kësaj dite nuk është zbardhur në tërërsi.
Mes hamendësimeve të shumta në opionion menjeherë pas kësaj ngjarje, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kishte deklaruar se me njërin nga të përfshirët në Rastin e Kumanovës, mëngjesin e 9 Majit kishte komunikuar me telefon, por se orët që përmendte i ngatërronte paksa. E, derisa Ahmeti thoshte se ka ndihmuar procesin në këtë rast, Skender Krasniqi, bababi i Muhamet Krasniqit – Komandant Malishevës, kishte thënë se dyshon që “Rasti i Kumanovës” ka bëjë me një tradhti nga ana e Ali Ahmetit dhe se luftëtarët atje kanë rënë në kurthin e tij.
“Ky është terror i shtetit. Është terror i Gruevskit dhe Ali Ahmetit. Unë jam i bindur se Ali Ahmeti ka tradhtuar. Për maqedonasit të mos flas pasi ata gjithmonë kanë bërë thirrje për vrasjen e shqiptarëve”, kishte thënë ai.
Për rastin e Lagjes së Trimave gjykata në Maqedoni për veprën penale terrorizëm ka akuzuar 38 persona, pas një maratone seancash rasti mori epilog vitin e kaluar, ndërsa nga 38 personat e akuzuar, 4 janë liruar, 8 u dënuam me burgim të përjetshëm ndërsa të tjetër me 746 vjet burg.
Procesi gjyqësor për grupin e Kumanovës, sipas palës mbrojtëse është zhvilluar me shumë mangësi. Palës mbrojtëse ju refuzuan mbi 50 dëshmitarë, në mesin e të cilëve kishte emra të njohur të funksionarëve shtetëror por dhe ish funksionarëve, si Ali Ahmeti, Gordana Jankullovska, Sasho Mihajllkov, Musa Xhaferi, Artan Grubi , Zoran Zaev dhe Sadulla Duraku.
Dikush më 9 Maj i tradhtoi banorët e Kumanovës, e kush e bërë këtë edhe sot e kësaj dite mbetet engimë. Mbase, ne edhe mund të kemi shumë pikypyetje për këtë rast, mirëpo të përfshirët në këtë ngjarje e kanë gjithçka të qartë, e duket se “dora e hekurt politike” e mban rastin e pasqaruar. Madje, mediat shkkrujnë se në muajin shkurt të viti 2015, një ‘PR’ agjent i njohur nga Franca ka pasur një takim të fshehtë me përfaqësues të lartë të pushtetit të atëhershëm VMRO – BDI në Shkup, për çka është kontraktuar një luftë e vogël dhe e kontrolluar, ashtu siç ndodhi realisht, e cila kishte për qëllim që të krijoj frikë dhe panik, dhe përmes aksionit policor të suksesshëm të kthehej besimi në institucione dhe në shtet. Eksperti francez ka dëshiruar që të angazhojë edhe disa spin doktor të cilëve ia ka paraqitur skenarin të titulluar ‘lufta e vogël’ („La petite guerre“). Por, kjo “luftë e vogël” e koordinuar siç thuhet nga pushtetarët e atëherëshëm – ka shkatërruar shum shpirtëra të njerëzve më 9 Maj, duke lënë tek ata tramua të përjestshme, që askush më nuk mund t’i rikthejë në normalitet.
Dhe derisa në Maqedoni do të vazhdojnë që rastet si vrasja e Harun Aliut me shokë, Monstra, Sopoti, Lagjja e Trimave, e shumë të tjera – të mos zbardhen në tërësi, sistemi i drejtësisë do mbetet në llumin e paqartësive, e që do mbetet në mbamendje për ndarjen ndër vite të padrejtësisë në vend se të drejtësisë.
#Retro shkrimi i botuar më 9 Maj 2018.