Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, raporton AA.
Siç bën të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosovës, tema të diskutimit ndërmjet tyre ka qenë paqja e qëndrueshme, stabiliteti afatgjatë dhe siguria rajonale.
Kryeministri Kurti e ka mirëpritur emërimin e emisarit Peach “si veprim të duhur që do të kontribuojë në proceset politike në Ballkanin Perëndimor”, ndërsa u shpreh falënderues për ndihmën e Britanisë së Madhe dhënë Kosovës në kohëra të ndryshme.
Kurti në takim me Peach ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE ndërsa roli i Mbretërisë së Bashkuar është i madh në këtë proces.
“E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin”, theksoi Kurti.
Emisari Peach vlerësoi lart marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.
Duke folur me emisarin Peach për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Kurti ka thënë se integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët”, tha ai.
Marrë për bazë përvojën e gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, emisari Peach shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të ndihmuar në procesin e dialogut.
Bashkë me emisarin Peach në takim me kryeministrin Kurti ka marrë pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
Emisari Stuart Peach po qëndron për vizitë në Kosovë pas një vizite që ka pasur në Beograd ku është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Takimi i tij po ashtu e pason vizitën e emisarëve amerikanë dhe evropianë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak në fillim të këtij muaji në Prishtinë.