Njësia për Krim Ekonomik e SPB Shkup pasditen e sotme ka konfiskuar dokumentacion shtesë dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për mosveprim në lidhje me menaxhimin e mbeturinave në qytetin e Shkupit. Në mesin e personave të arrestuar është edhe drejtori i NP “Higjiena Komunale”, Sabaudin Rrustemi, i cili në këtë funksion u emërua më 29 janar të këtij viti, si pjesë e koalicionit të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska dhe BDI.
Prokuroria Publike
“Me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, oficerët e policisë po ndërmarrin veprime për sigurimin e provave. Janë arrestuar dhe mbajtur dy persona nga udhëheqësia e NP “Higjiena Komunale” – Shkup, në lidhje me dyshime për veprën penale Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës përmes mbeturinave.
Prokuroria Publike javën e kaluar njoftoi se, veç më po ndërmerr veprime për sigurimin e provave për vepër të mundshme penale në lidhje me gjendjen e mbeturinave në Shkup.
Me këtë rast, prokurori publik i lëshoi urdhra Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organeve të tjera kompetente për veprim të menjëhershëm dhe për kontrolle në lidhje me punën e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”. Janë dërguar kërkesa te shërbimet komunale inspektuese që të kryejnë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese dhe të konstatojnë gjendjen aktuale.
Ndërkaq, kryeministri Hristija Mickoski sot paralajmëroi se problemi me mbeturinat do të ketë zgjidhje dhe rikujtoi premtimin e kandidatit të VMRO -DPMNE-së, Orce Gjorgjievski për kryetar të Qytetit të Shkupit, i cili ka thënë se nëse fiton zgjedhjet, do të zgjidh problemin me mbeturinat për 72 orë.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Mendoj se kjo do të ketë një zgjidhje, e cila do të jetë shumë interensante për t’u ndjekur. I falënderoj kryetarët e komunave të Velesit, Shtipit, Kavadari dhe Kumanovës për mbështetjen që e kanë dhënë ditëve të fundit me mekanizmin për pastrimin e mbeturinave në Shkup. Ditëve në vijim, e martë, e premte dhe e shtunë do të vazhdojnë dhe më pas pres që, pasi të fitojë Orce Gjorgjievski dhe kur të bëhet pranim-dorëzimi i menaxhimit praktik me Qytetin e Shkupit, e gjithë çështja me mbeturinat të normalizohet”.
Qyteti i Shkupit tash më një kohë të gjatë, e posaçërisht ditëve të fundit, po përballet me një krizë të menaxhimit të mbeturinave, me çka mbeturinat nuk mblidhen për ditë të tëra nëpër komunat e Shkupit. Të premten e kaluar, Instituti për Shëndet Publik alarmoi se në rast se vazhdon kjo gjendje, kryeqitetit i kanoset përhapja e sëmundjeve të ndryshme infektuese.
Teuta Buçi /SHENJA/


