Policia filloi të bastisë disa shtëpi shqiptare. Po kërkonin vrasësit e pesë djemve të ri në afërsi të Liqenit të Smillkovës…Ishin bastisur dhjetëra shtëpi që kishin rezultuar me 20 të arrestuar, në mesin e të cilëve edhe një plakë 65 vjeçare…
Aksioni policor mbante emrit e koduar “Monstra”, ndërsa verdikti u shpall në konferencë për shtyp, ende pa shkuar rasti në Gjykatë. Ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska doli në media dhe tha se kanë arrestuar vrasësit që i quajti një grup terrorist islamik. Pranë Jankullovskës qëndronte zëvendësi i saj, kuadër i BDI-së, Xhelal Bajrami i cili miratonte ato çfarë kishte thënë Jankullovska për shqiptarët e arrestuar.
Pas terrorit të shkaktuar për më shumë se 48 orë, shumica e personave të kapur ishin liruar në mungesë provash ose lidhshmërie me rastin ndërsa vetë, Fejzi Aziri, Agim Ismailoviq dhe Rami Sejdiu мbetën në listën e të dyshuarve. Për Ali Demirin dhe Afrim Ismailloviqin u shpall flet arrest ndërkombëtarë dhe ata u arrestuan më vonë në Prishtinë, ku dhe vuajtën dënimin për një vepër tjetër. Mes personave që u arrestua më 1 maj ishte edhe Haki Aziri, për të cilin pas ditësh kërkim u mor vesh se ai ishte marrë si dëshmitar i mbrojtur, por më vonë pasi kishte refuzuar të dëshmojë, ishte bërë i akuzuar .
Arrestimi i dhjetëra shqiptarëve, sidomos femrave shqiptare që u panë në pranga, dhe kualifikimi si terrorist islamik, revoltuan tej mase popullatën vendase e cila nuk hezitoi të protestojë çdo javë.
Gjashtë muaj më vonë, më 2 dhjetor të vitit 2012, në Gjykatën Themelorë Shkup 1 nisi procesi gjyqësor. Në listën e të akuzuarve për terrorizëm që e përpiloi prokurorja Gordana Geshkovska gjendej tashmë edhe një emër i ri, Sami Luta.
Gjithë procesi u zhvilluar duke u bazuar në dëshminë e një dëshmitari të koduar E1 ndërsa si prova materiale ishin marrë vetëm bisedat telefonike mes të akuzuarve, fotografi dhe ilahi islame që i kishin gjetur në shtëpitë e tyre. Si provë e prokurorisë është marrë edhe libri i shenjtë islam, Kurani dhe libra të tjerë fetarë, si dhe kënga “Për ty Gostivar” e kënduar nga Gold AG, që është gjetur në kompjuterin e njërit prej të akuzuarve.
Avokatët e quajtën rastin si një konstruksion me prapavi politike sidmos për faktin se asnjë provë materiale nuk i lidh të akuzuarit me veprën penale.
Më 30 qershor të vitit 2014 u soll aktvendimi i shkallës së parë ku u dënuan pesë të akuzuar me burg të përjetshëm, ndërsa njëri, Sejdi Rami u shpall i pafajshëm. Këtë vendim e konfirmoi së fundmi edhe Gjykata e Apelit.
Tani radhën e ka Gjykata Supreme e cila duhet ta japë verdiktin përfundimtar. Prokuroria Speciale pati njoftuar se ekzistojnë dëshmitarë të gatshëm për ta treguar ngjarjen e Smillkovës por se nevojitet ndryshimi i ligjit për dëshmitarët e mbrojtur me të cilin vetëm Katica Janeva do ta dinte indetitetin e tyre.
“Derisa të dalin dëshmitarët e ri që ndoshta do ta ndryshojnë epilogun e rastit “Monstra”, vetëm Liqeni i Smillkovës do të mbetet dëshmitarë i vetëm, i heshtur, i cili dëshmon për natën tragjike kur ndodhi vrasja e pesëfishtë”
(VIDEO) Kronologji, pesë vjet nga aksioni… by tvshenjaofficial