“Vetlargimi”, apo “largimi” i Aleancës për Shqiptarët nga koalicioni VLEN, vazhdon të hap debat edhe për shumë çështje tjera, mes atyre që kanë mbetur dhe atyre që nuk janë më në koalicion. Njëri ndër krerët e VLEN-it, Bilall Kasami, si duket nuk e shqetëson dalja e Taravarit, pasi ai tha se ka individë dhe subjekte politike nga opozita, të cilët janë të gatshëm të jenë pjesë e shumicës parlamentare. Edhe pse tha se shumica parlamentare është stabile, kreu i Lëvizjes Besa, tha se do të kërkojnë nga kryeministri Hristijan Mickoski që të rishqyrtohen pozicionet e VLEN-it në Qeveri.
BILAL KASAMI, KRYETAR I LËVIZJES BESA
“Ne kur jemi futur në Qeveri si koalicion VLEN, kemi pasur një marrëveshje me kryeministrit, atëherë mandatarin e qeverisë, sigurisht që në rrethanat e reja të krijuara, ne do të kërkojmë nga kryeministri të rishqyrtojmë marrëveshjen si koalicion, tash pjesa tjetër mbetet të diskutohet se si do të vazhdojë më tutje formati i qeverisë, por ne sigurisht si VLEN, do të kërkojmë që të ulemi dhe të bisedojmë edhe njëherë për pozicionet tona në qeveri”.
Në rrjetin social Facebook, ka reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, që është pjesë e Koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, i cili ka ka shkruar se “ndryshimin askush nuk e ndal dot, ndonëse siç thotë, është i vështirë në fillim, i ngatërruar në mes, por është jashtëzakonshëm në fund”.
IZET MEXHITI, KRYETAR I LËVIZJES DEMOKRATIKE
“Ndryshimi është i vështirë në fillim, i ngatërruar në mes, dhe i jashtëzakonshëm në fund. Por askush s’e ndal dot.As oportunistët, as demagogët që refuzojnë të ndryshojnë.As politikanët e varur, as oligarkët që duan ta mbajnë peng politikën.Sepse ndryshimi është thirrja e popullit.Dhe kur populli bashkohet, ndryshimi ndodh”.
E, kryetari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi, thotë se kush largohet nga VLEN-i, është në shërbim të “partisë nongrata”.
ZEQIRJA IBRAHIMI, KRYETAR I ALTERNATIVËS
“Sot, përballë dy koalicioneve të qarta – VLEN dhe Fronti Europian i udhëhequr nga BDI – çdo largim nga VLEN-i nuk është neutralitet, por është një kalim tek Fronti, tek BDI-ja, ose, më saktë, tek Plaku i Soravisë. E thënë troç: kush largohet nga VLEN-i, është në shërbim të Partisë Nongrata. Pa dramatizime në rolin e viktimës, pa interpretime simbolike e pa ekzegjeza politike. Ky është realiteti politik”.
Ndërkaq, me anë të një statusi në Facebook, ka reagur edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili apelet për ndryshim nga krerët e VLEN-it, i quan qesharake.
ARBEN TARAVARI, KRYETAR I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT
“Një nga thirrjet më qesharake është apeli për ndryshim nga dikush që vet përdor metoda të një mentaliteti politik të vjetër. Ndryshimi fillon nga vetja por për dikë kërkon më shumë kohë e për dikë më pak…fatkeqsisht ka disa që nuk ndryshojnë dot asnjëherë! Aleanca ka një motiv që e mban gjithnjë në lëvizje dhe ai është Kushtrimi i Njerëzve! Lum kush e dëgjon sepse e ka të lehtë rrugën drejt Fitores!Dhe fitorja më e madhe janë Njerëzit dhe jehona sapo ka filluar!”.
Kujtojmë se përplasjet mes krerëve të VLEN-it me Arben Taravarin kanë filluar qe disa javë, që nga momenti kur Taravari në një emision televiziv, tha se koalicioni VLEN nuk është duke funksionuar si duhet, ndërsa si arsye të ndarjes mes tyre, ata thanë se është edhe kërkesa e Taravarit, që në zgjedhjet lokale të dalin me lista të veçanta për këshilltarë për komuna.
Samir Mustafa /SHENJA/