Zyrtarizimi i nisjes së punimeve për ndërtimin e autostradës së re Tetovë–Gostivar, bëri bashkë gjithë kabinetin qeveritarë, edhe ata që nuk janë më bashkë. Përveç zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së, në “përhajr” të nisjes së autostradës erdhën edhe liderët e partive shqiptare në pushtet, Izet Mexhiti, Bilall Kasami, e Arben Taravari, me të cilin deri pak kohësh e ndanin koalicionin bashkë. Edhe pse në të njejtën hapësirë, Taravari me liderët e tjerë të VLEN-it u pozicionuan në vende të ndryshme, e nuk shkëmbyen asnjë fjalë.
Në promovimin e këtij projekti, kryeministri Hristijan Mickoski nuk harroi ta lavdëroi veten duke thënë se është vizionar dhe tha se veprat e tij do të mbeten gjatë në memorien kolektive të qytetarëve.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Ne sot po ndërtojmë ardhmëri. Ne nuk flasim për të kaluarën. Ne nuk jemi robër të së shkuarës . Ne sot duam të projektojmë çfarë do të ndodh në vitin 2027, 2028 dhe 2023. Politikanët që kanë vizion, dhe që shohin drejtë të ardhmes dhe ndërtojë gjëra të këtilla, janë politikanë që mbahen mend gjatë dhe nuk dalin nga memoria kolektive me veprat që u lënë qytetarëve”.
E zëvendës kryeministri Izet Mexhiti nuk la pa thumbuar kundërshtarët e tij politik.
Izet Mexhiti, zëvendës kryeministër
“Do të na matni me kilometrat e përfunduara, jo me fjalët e harxhuara. Themeli i sotëm është një simbol i asaj politike, politike të veprave e jo i frazave boshe….Korridori 8 është më shumë se një rrugë. Është arterie evropiane që lidh Adriatikun me Detin e Zi, e lidh zemrën e Ballkanit. Vendimi ynë strategjik është i qartë: Maqedonia përfundon seksionin e saj dhe e sjell Evropën në Ballkan, dhe Ballkanin në Evropë”.
Ambasadorja amerikane në vend Angela Ageler tha se ky aks rrugor është e një rëndësie strategjike.
Angela Ageler, ambasadore amerikane
“Është me rëndësi të përzgjedhen partnerët e vërtetë dhe të saktë në aktivitete të caktuara, për të bërë ndryshimet e caktuara dhe më vjen mirë që ne e kemi përzgjedhur Qeverinë e RMV-së, popullin dhe të gjithë të pranishmit këtu të jemi partner në ndërtimin e kësaj rruge”.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Aleksandar Nikollovski premton se kjo autostradë do të jetë e gatshme për dy vjet e gjysëm.
Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve
“Hapim front pune në autostradën Tetovë- Gostivar 17.5 kilometra e gjysëm, Gostivar-Bokojçan 14.7 kilometra dhe Prilep-Manastir 29 kilometra ose plani është që deri në verë të punohet në mënyrë aktive në ndërtimin e autostradave në kuadër të koridoreve 8 dhe 10, nga 65-68 kilometra, që mendoj se pajtoheni të gjithë nëse them se është progres i madh. Sekreti është shumë i thjeshtë, punë dhe mbështetje”.
Kjo autostradë do të jetë në gjatësi prej 25 kilometrash dhe do të kushtoj 90 milionë euro.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/