Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski vazhdon të kundërshtojë idenë e Badenterit në këtë institucion. Së fundmi, ai e ka shprehur këtë tërthorazi gjatë takimit me kryeprokurorin, Nenad Saveski, ku ka porositur se gjyqësori nuk duhet të “etnizohet”. Ai madje ka thënë se tentimit e tilla janë goditje ndaj demokracisë. Ai ka thënë se, organet politike dhe shtetërore duhet të dëshmojnë kulturë më të lartë kushtetuese, juridike dhe politike dhe të përmbahen nga çdo lloj ndikimi dhe presioni ndaj gjyqësorit.
MARKETING
Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese
“Tentimet për politizim dhe etnizim të punës së Gjykatës Kushtetuese dhe të cilit do organ gjyqësor, si dhe krijimi i perceptimit për mosbesim te institucionet, paraqesin goditje direkte ndaj demokracisë. Është koha që politika t’i largojë duartë nga sistemi gjyqësor, ndërsa sistemi gjyqësir të japë rezultate konkrete”.
Dy bashkëbiseduesit kanë theksuar rëndësinë e sigurimit të pavarësisë maksimale dhe pavarësisë së organeve gjyqsore. Saveski nga ana tjetër theksoi se, pa përgjegjësi të qartë dhe rezultate të matshme nuk mund të flitet për sundim të vërtetë të ligjit. Ai shtoi se transparenca është një parakusht i domosdoshëm për forcimin e besimit të qytetarëve në institucione.
Nenad Saveki, kryeprokurori shtetëror
“Mosbesimi në gjyqësor mund të tejkalohet vetëm përmes veprimeve konkrete, integritetin profesional dhe transparencë të dukshme. Sundimi i së drejtës nuk është përcaktim deklarativ, por detyrim i cili kërkon aksion të vazhdueshëm dhe të përgjegjshëm”.
Kujtojmë se kërkesën për badenter në gjykatën kushtetuese, përkatësisht që ligjet që miratohen me shumicë të dyfishtë në Kuvend të mos mund të rrëzohen në Kushtetuese pa votim të dyfishtë në gjykatën kushtetuese është aktualizuar nga opozita shqiptare. Kjo erdhi pasi disa iniciativa që lidhen me shqiptarët u votuan vetëm nga anëtarët maqedonas të kësaj gjykate.
Teuta Buçi /SHENJA/

