Është nënshkruar të premten në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë, një memorandum bashkëpunimi në fushën e regjistrimit të bizneseve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë të përbashkët me drejtoreshën e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë, Nexhmie Selimi dhe drejtoreshën për Biznes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Marija Bushkofska, u tha se me sistemin e ri elektronik të gjitha bizneset janë duke u pajisur me numrin e tyre unik.
Selimi tha se ky memorandum do të forcojë sistemin e të dyja vendeve drejtë regjistrimit sa më të shpejtë të bizneseve.
“Me këtë memorandum mirëkuptimi synojmë në bashkëpunimin e plotë midis dy vendeve. Nevojën për të promovuar dhe përmirësuar inovacionet dhe për të forcuar sistemet tona të regjistrimit të bizneseve me qëllim garantimin dhe administrimin e duhur, mbrojtjen dhe përdorimin e të drejtave të regjistrimit të biznesit”, tha Selimi
Drejtoresha për Biznes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Marija Bushkofska, tha se nënshkrim i këtij memorandumi tregon bashkëpunimin jo vetëm ndërinstitucional por edhe shtetëror midis dy vendeve.
Ajo tha se caku i tyre është shërbimi i shpejtë si dhe bashkëngjitja në luftën kundër shpëlarjes së parave.
“Duke pasur parasysh se regjistri qendror i Maqedonisë së Veriut kanë në funksion më shumë regjistra lidhja kryesore e punës së institucionit tonë është saktësia e të dhënave dhe shërbimi i shpejtë ndaj qytetarëve dhe kërkuesve të tjerë. Kjo është arsyeja që rangohemi në pikat më të larta botërore në lidhje me institucionin. Si institucion gjithmonë mundohemi që të implementojmë standardet dhe praktikat më të mira”, tha Bushkofska.
Para nënshkrimit të kësaj marrëveshje, më datën 26 qershor 2019 ARBK nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit për regjistrimin e bizneseve me Republikën e Shqipërisë. Ndërsa më datë 5 korrik 2019 u bë harmonizimi i plotë i të dhënave mes ARBK-së dhe Administratës Tatimore të Kosovës.