Pak ose thuajse asgjë nuk është arritur në luftën kundër korrupsionit, pavarësisht paralajmërimeve të disa qeverive, tha zëvendës shefi i Delegacionit të BE-së në vend, Ben Nupnau, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Luftës kundër Korrupsionit. Ai tha se qytetarët presin akuza dhe dënime në rastet e korrupsionit të lartë, ndërsa politikanëve u bëri thirrje që të heqin dorë nga ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë.
BEN NUPNAU, ZËVENDËS SHEFI I DELEGACIONIT TË BE-SË
“Shumë qeveri tashmë e kanë shprehur angazhimin e tyre për luftën kundër korrupsionit, politikanët vazhdimisht theksojnë se do të luftojnë kundër korrupsionit dhe do të kthejnë besimin e qytetarëve, por shumë pak ose asgjë nuk ka ndryshuar. Po ashtu, pritet që të shihet se do të ketë pavarësi në sistemin e drejtësisë dhe se aktorët politikë nuk do të ndërhyjnë në sistemin e drejtësisë ose në institucionet përkatëse mbikëqyrëse”.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, bëri thirrje për bashkim të institucioneve në luftën kundër korrupsionit, të cilën e quajti pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Kuvendi është i gatshëm, tha Gashi, të miratojë legjislacion për procedura më efikase.
AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT
“Ndoshta jam një nga politikanët e paktë në historinë e Maqedonisë së Veriut që si pjesë e pushtetit kam propozuar një ndryshim kushtetues për të mos u vjetërsuar rastet e korrupsionit politik. Jam thellësisht i bindur se çdo person që ka shkelur ligjin për interesa personale dhe partiake duhet të japë llogari dhe të përgjigjet para ligjit”.
Në panel diskutimin e organizuar nga Komisioni Antikorrupsion , morën pjesë edhe prokurorë, revizorë dhe ambasadorë të tjerë të huaj. Të gjithë ishin të një mendimi se korrupsioni është një problem kryesor për qytetarët dhe gjithashtu një pengesë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. /SHENJA/