Gostivari do të humbë tetë, Struga, Zhelina, Tearca, Kërçova dhe Vrapçishti do të kenë nga katër këshilltarë më pak pas zgjedhjeve të tetorit, pasi dje Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi vendimin për uljen e numrit të këshilltarëve në 14 komuna. Për këtë, ka reaguar deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti e cila këtë hap e ka vlerësuar si prapakthim të politikës shqiptare në RMV.
Në reagimin e saj, Dauti ka thënë se ky vendim buron nga vendimi i Qeverisë.
ILIRE DAUTI – DEPUTETE
“Në shtator të vitit të kaluar, pa asnjë debat në Qeveri, kaloi vendimi i Qeverisë për fshirjen e diasporës, që çdo ditë dëmton financiarisht shqiptarët, e tash edhe në përfaqësimin politik përmes zvogëlimit të numrit të këshilltarëve komunalë. Shqiptarë në numër kishte plot aty kur u soll ky vendim, sikurse edhe shumë herë të tjera. Politikanë e thërrasin veten edhe këta të gjithë që garojnë kush më keq do e bëjë”
Me reagim doli edhe kandidati i pavarur për Komunën e Gostivarit, Visar Ademi. Sipas tij, zvogëlimi i Këshillit Komunal të Gostivarit nga 31 në 23 anëtarë është sulm ndaj përfaqësimit të drejtë.
VISAR ADEMI – KANDIDAT PËR KOMUNËN E GOSTIVARIT
“Bëj thirrje institucioneve përkatëse që menjëherë ta kthejnë këtë vendim dhe të rikthejnë numrin e merituar të këshilltarëve. Përjashtimi i diasporës u mohon 40,000 qytetarëve të Gostivarit të drejtat e tyre kushtetuese. Diaspora është shtyllë jetike e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të qytetit tonë, dhe zëri i saj kurrë nuk duhet të heshtet”.
Veç Dautit dhe Ademit, këtë situatë e kundërshtuan edhe partitë opozitare. Ndërkaq, VLEN për këtë situatë të krijuar pas vendimit të KSHZ-së, i akuzoi ish pushtetarët duke thënë se kjo lind si problem pas mënyrës së gabuar të regjistrimit të popullsisë të aprovuar nga BDI-ja në vitin 2021.
Mevludin Imeri /SHENJA/