Komunat mbetën pa kryetarë dhe pa këshilltar komunal. Ende nuk pa asnjë zgjidhje se si do të funksionojnë dhe si do t’u shërbejnë qytetarëve. Kamera e TV SHENJA sot vizitoi disa nga komunat e kryeqytetit në të cilat mbizotëronte atmosferë e qetë. Qëndruam rreth gjysmë ore në objektet e Qytetit të Shkupit. Kërkuam që të marrim qëndrim të udhëheqësve të deritashëm të Qytetit, për atë se si do të veprojnë derisa të gjendet zgjidhja, por nga Zyra për Informim na thanë se nuk do t’i interpretojnë ligjet.
“Ne nuk do t’i interpretojnë ligjet. Më mirë kërkoni qëndrim nga Kuvendi ose nga ekspertët se si do ta zgjidhin çështjen e funksionimit të komunave, ose po edhe nga ekspertët e ndryshëm. Por, ne nuk do të interpretojmë asgjë sepse nuk jemi ne ata që duhet të flasim”, kanë thënë nga Qyteti i Shkupit.
Edhe në Komuna Qendër, atmosfera duket e patrazuar. Në kontakt me përfaqësuesit për media, thanë se po përgatiten për seancë dhe se nuk mund të flasin asgjë më tepër për momentin. Kamera jonë atmosferë normale regjistroi edhe në Komunën e Çairit.
Sot u ka skaduar mandati kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunal dhe derisa të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore, komunat do të funksionojnë pa udhëheqës legal. Me gjendjen e këtillë në komuna dhe pa datë për zgjedhje lokale, dhe pa kompetenca të kryetarëve të komunave, rrezikohet bllokimi total. Prej sot në pikëpyetje është vënë puna e ndërmarrjeve publike komunale, e shkollave, çerdheve, qendrave ditore për kujdes social dhe një sërë institucionesh tjera në kompetencë të komunave gjithandej në Maqedoni. Për shkak se nevojiten ndryshime të Kodit Zgjedhor, prej sot nuk mund të dihet se si do t’i marrin rrogat afër 5 mijë administratorëve lokal, rroga e rreth 10 mijë të punësuarve në ndërmarrjet lokale publike dhe rreth 30 mijë të punësuarve në arsimin fillor, të mesëm dhe në çerdhe. Pa rroga do të ngelin edhe personat e punësuar përkohësisht në komunë pasi nuk do të mund të marrin kompensimin e tyre. Edhe rastet sociale do të ngelin pa subvencione për harxhimet komunale. Në pikëpyetje është vendosur edhe funksionimi i transportit publik, funksionimi i shërbimeve komunale për grumbullimin e mbeturinave, por rrezikohet edhe bllokimi i ekipeve të zjarrfikësve si pasojë e mandatit të skaduar, por edhe e ndërmarrjeve për furnizimin me ujë.
Nuk do të mund të funksionojnë as institucionet kulturore dhe, ndërsa prej sot, qiftet e reja nuk do të mund të lidhin kurorë, pasi dëshmitarët zyrtarë të qifteve janë përfaqësues të këshillave komunal të cilëve u ka skaduar mandati që në prill. Do të bllokohen edhe shërbimet për qytetarët pasi nuk do të mund të lëshohen leje për ndërtim, vendime për legalizim të ndërtimeve pa leje e të tjerë. Nuk do të ketë kush ti nënshkruaj aktet e shtabeve komunale për mbrojtje dhe shpëtim në rast se paraqitet nevoja për aktivitete të tilla.
Kuvendi është organi i vetëm i cili mund të zgjasë mandatin e kryetarëve të komunave dhe ende nuk ka sinjale për thirrjen e tij dhe votimin e ndryshimeve ligjore.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Komunat mbeten pa kryetarë dhe këshilltarë, nis… by tvshenjaofficial

