Kryetari i Komuna së Sarajit Blerim Bexheti, në fushatën zgjedhore pati premtuar se Kanjonin Treska do ta shëndrojë në një destinacion të preferuar për turistët. Një vit më vonë pasi është zgjedhur në krye të komunës, në vend të realizojë premtimet, vepron në drejtim të kundërt. Liqenin Treska e ka shëndrruar në deponi të egër ku grumbullohen mbeturinat e komunës.
Ndërmarrja publike e komunës “Higjiena Komunale” në mungesë të një deponie, mbeturinat e komunës për çdo ditë i hedhë në bregun e lumit, në afërsi të hyrjes kryesore të Liqenit Treska.
Ditë më parë qytetarët e shqetësuar kanë publikuar këtë video, ku shihet se si automjete nga ndërmarrja publike hedhin mbetjet komunale në breg të lumit.
Zëdhënësja e Komunës së Sarajit, Miranda Ameti tërë kohën ka injoruar thirrjet e Almakos për të dhënë sqarime. Almakos vizitoi komunën mirëpo Ameti sërish nuk ishte në gjendje t’i përgjigjet pyetjes tonë, nëse komuna ka informacione për mbeturinat që hidhen në breg të lumit. Ajo kërkoi që pyetjen t’ia dërgojmë me shkrim dhe pastaj do na përgjigjet.
Nuk mund të ju përgjigjem tani, ma dërgoni pyetjen në mail do ta kontrollojmë dhe do të keni përgjigje, u përgjigj zëdhënësja e kësaj komune.
Deri kur po bëjmë këtë kronikë, zëdhënësja Ameti nuk dërgoi përgjigje se kush po hedh mbeturinat buzë lumit Treska në Saraj? Më herët Saraji mbeturinat i depononte në objektin e vjetër të komunës. Atje mbeturinat tani janë pastruar dhe janë bartur në lokacionin e ri.
Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, heshtin dhe nuk tregojnë nëse janë të informuar për deponinë e egër në Saraj dhe çfarë do të ndërmarrin për të ndëshkuar autorët e ndotjes së ambientit.
Sipas Kodit Penal të Maqedonisë, ndotja e ambientit jetësor dhe natyrës konsiderohet si vepër penale. Të gjithë pesonat fizik ose juridik, që ndotin ambientin duke filluar nga hedhja e mbeturinave në tokë dhe të substancave të rrezikshme në air, parashihet dënim me burgim nga katër deri në dhjetë vjetë.
Arbnora Memeti
Almakos.com