Komisioni i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve me 13 vota pro dhe asnjë kundër ka votuar sot për shkarkimin e Katica Janevës si udhëheqëse e Prokurorisë Speciale Publike, raporton Anadolu Agency (AA).
Fillimisht, deputetët votuan që seanca të jetë e mbyllur, pasi raporti që duhej shqyrtuar, e që ishte përpiluar nga Këshilli i Prokurorëve, ishte konfidencial. Kështu, në punën e komisionit mund të merrnin pjesë vetëm deputetët që kanë certifikatë të sigurisë.
Ilija Dimovski, kryetar i Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, para fillimit të seancës tha se do të donte që seanca e komisionit të ishte e hapur, por theksoi se deputetët nuk mund të vendosin ndryshe në raport me Këshillin e Prokurorëve.
“Komisioni, pa diskum dhe me vendim të njëzëshëm, e vërtetoi propozimin deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë që Katica Janeva të shkarkohet nga detyra Prokurore Speciale Publike për shkak të menaxhimit joligjor, të papërgjegjshëm dhe joprofesional me institucionin Prokuroria Speciale Publike”, tha Dimovski.
Muhamed Zeqiri, deputet i partisë në pushtet Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), tha se shpresojnë që së shpejti do të përfundojë hetimi dhe do të fillojë procedura gjyqësore me të cilin, siç tha ai, përgjegjësit do të japin llogari deri në fund dhe do të pastrohen të gjitha spekulimet në opinion.
“Mund të them se edhe ne si parti politike ndjejmë keqardhje që seanca nuk ishte e hapur, por patjetër të respektohej kërkesa e Prokurorëve Publikë se raporti i tyre është konfidencial”, tha Zeqiri.
Në bazë të procedurës parlamentare, tani kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, duhet të caktojë seancë plenare ku do të votohej për propozimin e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.
Edhe Muhamed Zeqiri, edhe Ilija Dimovski, që është pjesë e partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, shprehën bindjen që votimi në seancën plenare do të ishte unanim, ngjashëm me votimin në komision.
Për miratimin e vendimit për shkarkim të prokurores Katica Janeva në Kuvend, nevojitet shumicë prej 2/3, si dhe shumicë e Badenterit.
Kujtojmë se në kuadër të rastit “Zhvatja”, për të cilin Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i filloi hetimet më 15 korrik, si e dyshuar paraqitet numri një i PSP-së, Katica Janeva, e cila dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve. Që nga 21 gushti, ajo ndodhet në paraburgim 30-ditor në burgun e Shutkës.