Radhë të gjata, nervozë dhe kaos përpara rampave të Klinikës “Nënë Tereza”, një realitet që pacientët e Shkupit e kanë përjetuar për më shumë se dhjetë vite. Sot, ky problem i kahershëm sipas ministrit të shëndetësisë, Azir Aliu, po hyn në fazën e zgjidhjes. Ai tha se pas shumë muajsh intensive dhe kalimit të të gjithë procedurave të nevojshme administrative dhe ligjore më në fund kanë arritur një vendim me të cilin zgjidhet ky problem 10-vjeçar. Aliu sqaroi se bëhet fjalë për një vendim për dhënien me qira të pasurisë së paluajtshme përmes marrëveshjes të drejtpërdrejt me Qytetin e Shkupit, me qëllim organizim, menaxhim, rregullim dhe mirëmbajtjen e parkingut në hapësirat e Klinikës “Nënë Tereza” në Shkup.
Sinkron: Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë
“Në fazën e radhës, Qyteti i Shkupit do të nisë projektim dhe ndërtimin e garazheve shumëkatëshe në këtë hapësirë, marrëveshja do të lidhet për një periudhë 15-vjeçare me qira që vlen prej 10% të gjiros totale të realizuar për vit, dhe me të do të mundësohet modernizimi dhe rritja e ndjeshme e kapaciteteve të parkingut në këtë hapësirë”.
Tutje ministri tha se me këtë vendim mundësohet riorganizimi hapësinor dhe ndërtimi i garazheve shumëkatëshe, ku po ashtu parashikohet monitorim i plotë i parkimit me vendosjen e tabelave informuese digjitale.
Sinkron: Azir Aliu, ministër i shëndetësisë
“Me këtë vendim mundësohet riorganizimi hapësinor dhe ndërtimi i garazheve shumëkatëshe në qendrën klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Në kuadër të angazhimeve tona për digjitalizim gjithashtu parashikohet monitorim i plotë i parkimit me vendosjen e tabelave informuese digjitale si dhe një udhëzues digjital i posaçëm që do t’i orientojë qytetarët drejt parkimit, gjithashtu parashikohet rregullim urban dhe hortikulturor i hapësirës së gjelbërt, shtigje për këmbësorë me ndriçim, gjithashtu me led ndriçim të modernizuar”.
Aliu tha se do të implementohet edhe i ashtuquajturi sistem parkimi inteligjent, me sensor të integruar në çdo vendparkim për detektimin e vendeve të lira, gjithashtu do të ketë kamera për regjistrim automatik të targave të automjeteve, aplikacion mobil për rezervim dhe pagesa të parkimit si dhe lidhje me sistemin fiskal dhe e Qeverisje.
Anida Murati /SHENJA/


