Zëvendës Sekretarja gjenerale e Kombeve të Bashkuara dhe administratorja e UNDP-së Helen Klark inkurajon që sa më shpejtë të formohet Qeveria, pasi me këto dy vite e gjysmë krize, Maqedonia po pëson shumë në zhvillim. Sipas saj, gjithkund në botë ka probleme të tilla të mosformimit të Qeverisë, por tani që në Maqedoni u bënë më shumë se tre muaj pa Qeveri, seriozisht po pësojnë institucionet dhe qytetarët të cilët votuan në zgjedhje dhe që duan të shohin që vullneti i tyre po respektohet.
“Ndonjëherë duhet më shumë kohë për tu formuar një Qeveri. Këtu për shembull zgjedhjet u zhvilluan tre muaj më parë. Nga pikëpamja e Kombeve të Bashkuara, do donim që të shohim zgjidhje sa më të shpejtë të krizës, në pajtueshmëri me Kushtetutën pasi votuesit presin që vullneti i tyre të respektohet. Ky vend sigurisht që ka aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO. Bashkimi Evropian dëshiron të shohë se të gjitha ligjet zgjedhore po respektohet, për gjatë zgjedhjeve dhe pas tyre. Kështu që në interes të shtetit është që sa më shpejtë të gjendet dalje nga kriza politike, në pajtueshmëri me rendin Kushtetues”, ka deklaruar Helen Klark, Zvsekretare gjenerale e Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Klark komentoi edhe vërshimet e vitit të kaluar që ndodhën në Shkup duke theksuar se Zyra e UNDP-së në Maqedoni jep kontribut të parezervë për parandalimin e fatkeqësive të tilla, sidomos në rajonin e Pollogut ku më së shumti ka rreziqe nga vërshimet.
“Nëpërmjet Bashkimit Evropian janë ndarë rreth 10 milionë euro të destinuara për sanimin e dëmeve nga vërshimet, ndërsa programin e zbatojmë ne. Së shpejti presim edhe miratim nga Agjencia Zvicerrane për zhvillim dhe bashkëpunim për një projekt shtesë për mbrojtje nga vërshimet në rajonin e Pollogut me buxhet prej 3 milionë frankave zvicerane. Në Tetovë kam parë se po vendosen rrethoja në lumin Pena për të penguar daljen e ujit nga shtrati, dhe kjo mund të shpëtojë jetë në të ardhmen”, ka shtuar Klark.
Administratorja e UNDP Klark foli me habi edhe për ndotjen e ajrit në Maqedoni e cila në nivel Evropian, konkurron me 3 qytetet më të ndotura në Evropë, duke thënë se për këto fakte dikush duhet të japë përgjigje.
“Është e pabesueshme që një shtet aq i vogël merr pjesë me 3 qytetet në 10 më të ndoturat në Evropë. Por sigurisht që për këtë gjë ekzistojnë përgjigje. Përgjigjet zakonisht nuk janë shumë të lehta,dhe kërkojnë ndryshime të gjërave, si për shembull politikave ose ligjeve, rregullative, por edhe sjelljen e qytetarëve. Thelbi i gjithçkaje është energjia e pastër. Në rast se energjia vjen nga termocentralet me qymyr atëherë energjia është e papastër, edhe industria do të jetë e papastër.
Klark tha se duhet mbajtur llogari edhe për gazrat që dalin nga makinat, për ngrohjen e amvisërive, dhe për rregulla më rigoroze ligjore dhe hap pas hapi nivel i ndotjes mund të ulet.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Klark: Zgjidhni sa më shpejt krizën by tvshenjaofficial